
Avokati Spartak Ngjela ka folur lidhur me situatën në Kosovë dhe Milan Radoiçiç.
Në një intervistë për “Bota sot”, avokati Spartak Ngjela tha se ndërkombëtarët nuk mund të bëjnë asgjë lidhur me Radoiçiçin, pasi sipas tij nuk do të arrestohet në Serbi.
“Nuk kanë se çfarë të bëjnë ndërkombëtarët, kurse ato akuzat e prokurorisë në Beograd janë falsitete. Kjo çështje shihet ndërkombëtarisht se çfarë ndodh, vetëm nëse Radoiçiç do dalë në Perëndim. As mos t'ju shkojë mendja se mund të arrestohet Radoiçiç në Beograd. Vuçiç dhe Radoiçiç janë bandë kriminale. Ata janë të dehur nga krimet që kanë kryer, dhe të deprimuar nga përkrahja ndërkombëtare e Kosovës”, u shpreh ai.
Më tej, ai thekson se Serbia është në një krize të shpërbërjes dhe se çmenduria e udhëheqjes së saj është në favor të Kosovës dhe Shqipërisë.
“Serbia aktualisht është në krizën e shpërbërjes së saj. Të shohim se si do të precipitojnë ngjarjet. Por Kosova dhe Shqipëria janë të sigurta. Kurse çmenduria e udhëheqjes së Serbisë është në favor të Shqipërisë dhe Kosovës”, u shpreh Ngjela.
Ditën e djeshme u bë me dije se Milan Radoiçiç bleu prona të reja në pjesën elitare të Beogradit.
Kjo ‘lëvizje’ e Radoiçiçit u bë pasi Prokuroria e Lartë Publike në kryeqytetin serb e akuzon për disa vepra penale lidhur me sulmin kundër Policisë së Kosovës në fshatit Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023, ku u vra një rreshter policor dhe tre sulmues serbë.
Radoiçiç pranoi publikisht se ishte ai përgjegjës për sulmin dhe se ishte ai organizatori dhe udhëheqësi i grupit të armatosur.
Lini një Përgjigje