
Del sot para gjykatës protestuesi i Rithemelimit dhe PL-së Sokol Bushkokaj, i cili rrezikoi jetën e gazetarëve dhe qytetarëve duke u hedhur molotov gjatë protestës para Bashkisë së Tiranës
Ai do të njihet sot me masën e sigurisë ndërsa Prokuroria e Tiranës ka kërkuar burg për 49-vjeçarin.
Bushkolaj u arrestua gjatë protestës së 8 majit ndërsa ndaj tij rëndojnë 5 akuza. Përveç për aktin e hedhjes së molotovit në drejtim të qytetarëve dhe gazetarëve, ndaj tij është ngritur akuza “vrasje me dashje e mbetur në tentativë”.
Bushkolaj u shfaq totalisht i maskuar me qëllim që të mos identifikohej nga policia.
I veshur me një bluzë të bardhë, sipër saj mban flamurin shqiptar, me një kapele në kokë, syze dhe maskë e doreza kirurgjikale, 49-vjeçari u shfaq i qetë mes njerëzve të tjerë, nxjerr molotovët dhe i hedh drejt godinës së bashkisë, ndërsa një prej tyre ra në drejtim të gazetarëve dhe qytetarëve.
Ai shpërfilli edhe thirrjet e policisë, të cilët i kërkojnë të mos hedhë molotovë, ndërsa u largua mes pemëve për t'u fshehur.
“Personi me bluzë të bardhë, flamur dhe me kapele të mos hedhë më lëndë piroteknike”, tha policia.
Po ashtu militanti i Rithemelimit apo i Partisë së Lirisë akuzohet për "Prishja e qetësisë publike", "Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse", "Shkatërrimi i pronës me zjarr", "Goditjet për shkak të detyrës".
Ngjarja u dënua nga shoqatat e gazetarëve dhe AMA, të cilat kërkuan që autori të përballet me drejtësinë. Po ashtu, për protestën është vënë në hetim edhe një 22-vjeçar, K.B., banues në Tiranë.
Lini një Përgjigje