TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet23 Tetor 2024, 14:25

Denoncoi aferën CEZ-DIA, juristi Romeo Kara: Çfarë pritet të ndodhë tani me Ilir Metën

Shkruar nga Pamfleti

Denoncoi aferën CEZ-DIA, juristi Romeo Kara: Çfarë pritet

Juristi i njohur, Romeo Kara ka komentuar arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta. Privatizimi i ish-OSSH dhe CEZ dhe pakti CEZ-DIA” “janë aferat më të rënda korruptive në vend. Juristi Romeo Kara është i pari person që e ka denoncuar skandalin “CEZ-DIA” dhe hapi “Kutinë e Pandorës” në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për Ilir Metën sa i takon kësaj afere.

Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, Kara tregon se çfarë pritet të ndodhë tani me zotin Meta, ku sipas tij, nuk përjashtohet mundësia që të ketë sekuestrim të pasurive miliona euro të ish-presidentit, apo zgjerim të hetimeve për bashkëpunëtorët e tij.

Madje ai theksoi se arrestim i Metës pritet të shkundë themelet e klasës politike shqiptare.

“Arrestimi i Ilir Metës është një moment historik, kuptimplotë dhe shpresëdhënës se, drejtësia me në fund do të fitojë qytetarinë e saj në Shqipëri. Sot, korrupsioni, ky kancer shoqëror dhe pengmarrës i institucioneve dhe fatit të shqiptarëve, mori një goditje sinjifikative. Askush nuk është më i pandëshkueshëm. I gjithë establishmenti politik i pas viteve ’90 është tronditur, duke parë se koha e tyre e abuzimit me pushtetin tashmë po mbaron.

Kemi besuar tek drejtësia si koncept dhe një e drejtë hyjnore, dhe sot po shikojmë një nga frytet e këtij besimi. Ndërkohë që për popullin lind një shpresë e ligjshme, për kryekorruptuarin Meta dhe të ngjashmit e tij sapo ka filluar kalvari i përballjes me drejtësinë. Të shpresojmë që do të kemi një proces të drejtë dhe publik gjyqësor, ku të zbardhet e vërteta dhe të merret një vendim i drejtë. Do doja që ky proces të ishte më i shpejtë dhe gjithashtu të ishin sekuestruar pasuritë e pafundme të çiftit Meta, pasuri që iu përkasin shqiptarëve. Le të shpresojmë se, në të ardhmen, do të realizohet edhe kjo gjë.

Po ashtu, shpresoj që të ketë të tjera kallëzime lidhur me të dhe bandën e tij, e cila ka dhjetëra vite që është tejpasuruar në kurriz të shqiptarëve të ndershëm. Ky është vetëm fillimi. Të tjera ngjarje do të kemi më pas, duke i kthyer shpresën shqiptarëve se ky vend mund të bëhet, se drejtësia nuk është një mollë e ndaluar për ta, se dinjiteti ka koston e përballjes në rrugën e Zotit dhe se besimi në fitore një ditë do të shpërblehet”, deklaroi juristi Kara për gazetën “SOT”.

Detaje nga dosja

Ndërkohë avokati Romeo Kara shprehu bindjen se kjo është një ditë shumë e rëndësishme edhe për qytetarët shqiptarë. Pas më shumë se 30 vitesh theksoi ai, qytetarët po shohim se marrja peng ka marrë fund. Po ashtu, ai shtoi se në aferën “CEZ-DIA” ka edhe tetë biznesmenë të tjerë të përfshirë. “Unë e kam thënë që do të arrijë një ditë, që do të ketë një fund kjo marrja peng nga qeveritare që kanë marrë peng. Kemi pasur gjithë predispozicionin tonë, për të fuqizuar zërin në publik dhe tek organet e drejtësisë që ne duam drejtësi. Jemi rrjepur për së gjalli nga politika shqiptare. Sa i përket biznesmenit, që i ka dalë emri nuk e di, por mund të them që janë 8 biznesmenë, disa oligarkë të mëdhenj, janë të mëdhenj. Ne e dimë se si janë ngritur këta persona. Por asgjë nuk është e pamundur edhe përballja me to. Edhe shitja e pijeve alkoolike është shtuar sot në darkë, njerëzit kanë ngritur dolli”, tha ai, duke shtuar: “Ky është gjyqi i jetës së Metës dhe Gjokutaj, ta shohim do ta fitojnë apo jo.

Deklaratat e Gjokutajt

Gjithashtu avokati komentoi edhe deklaratën e bërë nga avokati i Ilir Metës, Gjokutaj, duke thënë se ka bërë kallëzim të rremë. Juristi tha se nuk ka bërë aspak kallëzim të rremë dhe se të gjitha faktet janë aty. Më tej ai nënvizoi se avokati Genc Gjokutaj do të duhej ta kursente veten nga deklaratat. “Nuk më ka thënë ndonjëherë që kam bërë kallëzim të rremë. Por jam i sigurt që do ta humbë këtë çështje. Faktet janë aty. Po të ishte kallëzim i rremë, Prokuroria do ta kishte mbyllur, por ka kaq vite dhe mund ta kishin thënë. Por është hera e parë sot. Unë jam më i vërtetë se Genci dhe të gjithë Gencat e Shqipërisë”, theksoi ai. Më tej ai shtoi se SPAK zotëron të gjitha faktet për vilat e Metës jashtë shtetit.

“SPAK i ka të gjitha informacionet. Mund të them që kjo aferë është bekuar nga Ilir Meta. “Zorra qorre” e Metës, është zëri i dytë në çmendinë e Metës. Me çfarë financohen? Unë nuk nis beteja për t’i lënë. Sot mendoj që kjo është fitore për të gjithë shqiptarët që në fund të tunelit po duket dritë. Njerëzit duan vetëm drejtësi. Në çdo aspekt të jetë duhet drejtësi. Në bazë të ligjit, jam në gjendje të bëj kallëzim, dhe i bindur dhe i ftoj të gjithë llafazanët e Metës, të shohin se ku jetoj unë”, nënvizoi juristi Romeo Kara.

cez dia romeo kara ilir meta

Lini një Përgjigje