Aktori Laert Vasili bëri disa deklarata të forta mbi vizitën e ministrit grek të Mbrojtjes Nikos Dendias. Sipos tij ai është nga zona e Himarës.
“Pse ia thua emrin Dendias? E ka Dedja, është nga Vunoi”, u shpreh Vasili gjatë diskutimeve në studio.
Ai tregoi edhe një episod që lidhej me një vizitë mediatike në Korfuz, ku sipas tij ishte intervistuar një avokat me origjinë nga Vunoi.
“Kur kanë vajtur në Korfuz për të marrë një intervistë nga një avokat i famshëm, ishte një që quhej Dedja dhe mbante bustin e Skënderbeut. Ai tha se ishte nga Vunoi dhe se të parët e tij kishin luftuar krah këtij trimi arbëror”, deklaroi Vasili në “News 24”.
Sipas aktorit, edhe vetë Dendias e ka pranuar origjinën e tij nga zona e Himarës. “Vetë Dendias thotë nga atje ku ai beson se ka origjinën. Himara quhej gjithë zona aty poshtë”, tha ai.
Më tej, Vasili komentoi edhe historinë politike të shtetit grek, duke e cilësuar atë si të ndërtuar mbi ndikimin arvanitas.
“Politika greke është për t’i hequr kapelën, është deep state arvanitas. Ky deep state arvanitas, me fondin e Ali Pashës, me të cilin u krijua banka kombëtare greke, është themeluar me pasurinë e Ali Pashës nga disa arvanitas dhe ata besonin se po bënin Shqipërinë e re ortodokse kundër otomanëve”, deklaroi ai.
Vasili deklaroi se Dendias, në kohën kur mbante postin e ministrit të Brendshëm të Greqisë, kishte ndërhyrë për mbrojtjen e teatrit ku shfaqej vepra “Corpus Christi”, pas kërcënimeve nga grupimet ekstremiste të djathta.
“Arti është pararendës. Ja ku e keni personin në fjalë. Ishte Nikos Dendias ministër i Brendshëm kur teatri në vitin 2012. Nikos Dendias ka sjellë 350 forca speciale që Agimi i Artë të mos më digjte teatrin mua. Pse e bëri? Se ishte shqiptar”, u shpreh Vasili.
Aktori iu referua ngjarjeve të tetorit 2012 në Athinë, kur ai u përball me kërcënime të forta dhe reagime të dhunshme nga anëtarë dhe mbështetës të Agimit të Artë, pas vendosjes në skenë të shfaqjes “Corpus Christi”, ku Vasili ishte regjisor.
Në atë periudhë, grupime të ekstremit të djathtë protestuan jashtë teatrit dhe pati tensione të forta për shkak të përmbajtjes së shfaqjes, ndërsa autoritetet greke angazhuan forca të shumta policore për të garantuar sigurinë dhe vijimin e aktivitetit artistik.
Lini një Përgjigje