Pista tjetër që po hetohet: qarku i parave të drogës, fajdeve dhe call-centrave...

Mbrëmjen e djeshme, në kompleksin superluksoz “Long Hill Residence” pranë Lundrës, Kliton Sulçe, 38-vjeçar, i njohur si pronar i disa call-centrave të dyshuara për skema mashtrimi, hyri në një bar të lagjes dhe goditi me shkop bejsbolli 19-vjeçarin Kristi Fufi, djalin e ish-deputetit demokrat Mhill Fufi. Sulmi, i filmuar nga kamerat e sigurisë, zgjati pak minuta, por la viktimën me fraktura të shumta në kokë e trup.
Edhe pse ngjarja kualifikohet si “plagosje e rëndë me dashje”, Prokuroria e procedoi Kliton Sulçen në gjendje të lirë, duke ndezur polemika për standardet e drejtësisë kur në lojë janë para të mëdha dhe emra të lidhur politikisht.
Kush është Kliton Sulçe, i njohur si 'Kinezi'? Empresar me zyra call-centerash në Tiranë, i paditur disa herë për mashtrim financiar, por i pa trazuar nga autoritetet. Burime policore pohojnë se Sulçe jeton mes luksit dhe mban lidhje me njerëz me peshë në administratë, çka i ka kaluar deri tani çdo skandal pa pasoja penale.
Pista e hetimit: Zyrtarisht, policia nuk ka bërë publik motivin, por grupi hetimor po verifikon edhe variantin e interesave financiare që lidhen me rrethin familjar të viktimës. Kristi Fufi vjen nga ajo që hetuesit regjistrojnë si “Fufët e Mamurrasit”; familje e skeduar nga partnerët ndërkombëtarë si pjesë e një rrjeti trafiku kokaine në Britani dhe në Europën Perëndimore. Në dosjet operative përmenden gjithashtu aktivitete të fajdeve dhe pastrim parash në ndërtim në Shqipëri. Hetuesit nuk e përjashtojnë që konflikti me Sulçen të jetë ndezur nga çështje financiare.
Çfarë pritet? Ekspertiza mjeko-ligjore mbi plagët e 19-vjeçarit do të përcaktojë nëse dosja do të rëndohet, ndërkohë që autoritetet kanë kërkuar të dhëna mbi pasurinë e dy familjeve. Nëse zbulohet se paratë e call-centrave dhe investimet e dyshuara të klanit “Fufi” kryqëzohen, çështja duhet të kalojë në SPAK.
Për momentin, viktima lufton në spital, agresori është i lirë, dhe policia ka në dorë një video të qartë të sulmit, por ende jo përgjigjen përfundimtare se pse Long Hill u kthye brenda pak minutash në arenë gjakderdhjeje. /Pamfleti
Lini një Përgjigje