
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka deklaruar se llogaritë e saj bankare nuk janë bllokuar nga askush dhe se diplomatët shqiptarë kanë marrë pagat e tyre.
Përmes një komunikate zyrtare, ministria ka hedhur poshtë lajmin se punonjësit në selinë diplomatike të Shqipërisë në Itali nuk kanë marrë pagat për shkak të detyrimet që shtetit shqiptar ka ndaj investitorit italian, Francesco Becchetti.
Më tej MEPJ ka deklaruar se çdo përfaqësi diplomatike e Republikës së Shqipërisë gëzon imunitet diplomatik e kësisoj janë të pacënueshme në çdo rrethanë.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme cilëson si të pavërtetë dhe abuziv informacionin e publikuar në disa portale, mbi të ashtëquajturin “bllokim” të llogarive bankare të MEPJ apo përfaqësive diplomatike shqiptare, përfshirë Italinë.
MEPJ informon opinionin publik dhe median se në bazë të Konventës së Vjenës llogaritë bankare të MEPJ e të çdo përfaqësie diplomatike të Republikës së Shqipërisë gëzojnë imunitet diplomatik e kësisoj janë të pacënueshme në çdo rrethanë.
Çdo punonjës i MEPJ dhe i shërbimit më jashtë si në Itali e në çdo shtet tjetër ka marrë pagesën rregullisht, sikundër edhe atë të muajit korrik, konform ligjeve dhe kodit të punës”, njofton MEPJ
Lini një Përgjigje