TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Korrik 2023, 21:36

Bledi Çuçi, “ministri pambuk” që ndërroi 2 drejtorë policie; dështoi me sigurinë publike

Shkruar nga Pamfleti

Bledi Çuçi, “ministri pambuk” që ndërroi 2

Dhuna barbare e anëtarëve të fisit Rraja duket se ishte mbushja dhe derdhja e kupës, që e shtyu kryeministrin Edi Rama të shkarkojë nga posti i Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçin.

Në vend të tij, Rama vendosi të emërojë Taulant Ballën, një emër që është përfolur edhe më herët për këtë post.

Por dy vitet e Çuçit në Ministrinë e Brendshme nuk kanë qenë edhe aq të suksesshme. Ai zëvedësoi në këtë post Sandër Lleshajn, në dhjetor të 2020-ës, dhe e mori drejtimin e ministrisë gjatë protestave masive në Tiranë për vrasjen e të riut Klodian Rasha nga një efektiv i policisë.

Duket se ky fat i keq do e ndiqte edhe më tej Çuçin, ndonëse një vit më pas ai do të shkarkonte drejtorin e parë të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Vdekja e 7-vjeçares Jonada Avdia, në plazh në Himarë ishte një tjetër ngjarje e rëndë që tronditi opinionin publik. E mitura u godit nga helika e skafit të një shefi të policisë në Himarë.

Nuk do të kalonte shumë kohë nga një tjetër ngjarje e rëndë, vdekja e të riut Lear Kurti, i cili konsumoi një sasi droge gjatë ndjekjes nga policia. Kurti u mbajt në ambientet e policisë së Laprakës deri sa humbi ndjenjat dhe nuk u dërgua në kohë në spital.

Edhe këtë herë, të gjitha thirrjet ishin për largimin e Çuçit. Ngjarjet kriminale do të shpërthenin në vend, ku ndër më të rëndat ishte “Masakra e Don Boskos”, me një të vrarë dhe katër të plagosur, ekzekutimi i oficerit të policisë Çaush Saliasi nga kolegu i tij brenda komisariatit në Tiranë, vrasja në atentat e Aleksandër Sadikajt si dhe atentati me tre të vrarë i Brilant Martinajt dhe dy shokëve të tij Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.

Çuçi mesa duket gjeti zgjidhjen më të lehtë për të shkarkuar përgjegjësinë nga vetja. Ai shkarkoi shefin e dytë, kreun e Policisë së Shtetit Gledis Nano.

Zhdukja e Ervis Martinajt do të ishte një moment tjetër dështimi për autoritetet e Ministrisë së Brendshme, megjithëse si Rama dhe Çuçi do t’i vendosnin policisë afat për zbardhjen e saj, asnjë rezultat nuk pasoi.

Krimi do t’i merrte jetën një qytetareje të pafajshme, jo shumë kohë më parë. Nga një atentat i dështuar në Don Bosko, që dyshohet për hakmarrje mes grupit të Martinajt dhe armiqve të tij, do të humbiste jetën banakierja Mimoza Pajo.

Çuçi do të akuzohej nga opozita, ndër të tjera edhe për kontrollin e javëve të fundit të Policisë së Shtetit në kampin me Muxhahedinëve në Manëz, aksioni dyshohet se la një iranian të vdekur, ndonëse Çuçi u doli në krah bluve duke e mohuar një gjë të tillë.

Por ishte dhuna e Rrajave të Krujës ngjarja që preu parakohe karrierën e tij si ministër i Brendshëm. Pamjet filmike ishin sa brutale aq edhe të shëmtuara, dhe implikonin si politikën po ashtu edhe blutë e Krujës. Policia prej muajsh nuk kishte marrë asnjë masë duke lënë konfliktin të degjeneronte në dhunë, ndërsa dhunuesit ishin të afërmit e deputetit socialist.

Kaq ka mjaftuar që kryeministri Edi Rama t’i rikthehet pas shumë kohësh dorës së hekurt të shkarkimeve, ndërsa tashmë në Ministrinë e Brendshme nis “epoka Balla”. /Vox News

 

cuci ministri

Lini një Përgjigje