
Bashkitë dhanë 352 leje ndërtimi brenda 3 muajsh...
Pas Tiranës, duket se Durrësi po betonizohet me ritme shumë të shpejta. Emiriana Sako ka marrë kurorën e kryebashkiakes që ka firmosur më shumë leje ndërtimi në 3-mujorine dytë të këtij viti.
Të dhënat janë publikuar nga Instituti i Statistikave. Sipas INSTAT, në tremujorin e dytë të vitit 2025, janë miratuar 352 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, thuajse njësoj sa një vit më parë, ku u miratuan 354 leje.
Sipërfaqja gjithsej e parashikuar për ndërtimet në këtë tremujor, është 278.389 m², duke shënuar një ulje prej 67%, në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2024 (844.137 m²).
Vlera e përafërt e projekteve të miratuara (që përfshin si ndërtesat ashtu edhe punimet inxhinierike) arriti në 18,4 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 45,5 %, krahasuar me një vit më parë (33,7 miliardë lekë).
Ndërtimet për banim përbëjnë pjesën më të madhe të lejeve të reja, me 271 leje dhe sipërfaqe ndërtimi 119.051 m².
Ndërtesat jo-rezidente (si hotele, ndërtesa tregtare dhe industriale) zënë pjesën tjetër me 81 leje ndërtimi dhe 159.338 m² sipërfaqe.
Sipas INSTAT, Qarku i Durrësit mban peshën kryesore me 156 leje ndërtimi të reja dhe sipërfaqe ndërtimi 129.617 m².
Më tej bëhet me dije se rritje domethënëse e vlerës së projekteve ndërtimore u regjistrua në qarqet Durrës, Korçë dhe Shkodër. /Pamfleti
Lini një Përgjigje