TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Shkurt 2026, 10:25

Banorët e Urës së Gjolës në protestë për rrugën: Bashkia nuk interesohet për ne, do të bllokojmë autostradën Fushë Krujë-Vorë

Shkruar nga Pamfleti
Banorët e Urës së Gjolës në protestë për
Rruga e prishur te Ura e Gjolës

Banorët e Urës së Gjolës në Fushë-Krujë janë ngritur në protestë për gjendjen e rrugës që i lidh me autostradën Fushë Krujë-Vorë. Ata deklarojnë se rikonstruksioni i këtij aksi është premtuar prej vitesh, por nuk është realizuar.

Rruga paraqet dëmtime në të gjithë gjatësinë e saj, me gropa dhe pellgje uji. Sipas banorëve, institucionet vendore nuk kanë ndërhyrë me investime të qëndrueshme dhe ndërhyrjet e vetme kanë qenë të pjesshme.

“Më shumë e kemi riparuar vetë. Në bashki jemi të humbur, të tradhtuar sepse nuk i ka rënë ndërmend për asnjë nga ne”, thotë një prej banorëve.

Aksi nuk është asfaltuar asnjëherë, ndonëse përgjatë tij jetojnë rreth 100 familje. Banorët e konsiderojnë të vështirë kalimin, veçanërisht në ditë me reshje.

“Kjo gjendje vazhdon me vite. Vijnë, i japin një lustër dhe kështu është bërë rruga gjithmonë. Jemi ankuar në bashki, s’pyet kush për ne a jemi gjallë, a jemi vdekur”, shton një banor tjetër.

Sipas tyre, mjetet e emergjencës nuk mund të qarkullojnë normalisht në këtë segment. Ata shprehen se transporti i një të sëmuri drejt spitalit zgjat për shkak të terrenit.

“Ne kërkojmë ta rregullojnë rrugën, të jesh i sëmurë do dy orë të dalësh në Urën e Gjolës. S’kemi ku të shkojmë, është bërë gropa-gropa. Për tokën time 170 mijë lekë më kanë dhënë, të vjetra, me dokumente”, shprehet njëri prej banorëve.

Banorët deklarojnë se, nëse Bashkia e Krujës nuk jep një përgjigje konkrete për ndërtimin e rrugës, do të bllokojnë autostradën Fushë Krujë-Vorë.

Ata kujtojnë se u prekën nga shpronësimet për ndërtimin e autostradës Thumanë-Kashar dhe se në atë periudhë morën premtim për ndërtimin e rrugës së Urës së Gjolës, i cili nuk u realizua.

Lini një Përgjigje