
Banorët e disa fshatrave të njësisë administrative Thumanë dolën sërish në protestë pranë nënkalimit të autostradës Thumanë-Kashar, duke bllokuar për rreth një orë qarkullimin në shenjë kundërshtimi ndaj gjendjes së rënduar të infrastrukturës në zonë.
Kjo është hera e katërt që banorët protestojnë, duke kërkuar ndërhyrje në rrugën e Gramzës, e cila sipas tyre është dëmtuar rëndë nga qarkullimi i automjeteve të rënda që devijojnë nga autostrada dhe kalojnë në këtë segment.
Sipas banorëve, mungesa e ndërhyrjes nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Bashkia Krujë për rikonstruksionin e rreth 500 metrave rrugë i ka detyruar ata të protestojnë dhe të bllokojnë qarkullimin.
Aulon Kalaja, i pranishëm në protestë, tha se pavarësisht protestave të njëpasnjëshme nuk ka pasur asnjë reagim nga institucionet përgjegjëse.
“Kjo është protesta e katërt dhe ende nuk ka reagim nga institucionet. Banorët kanë vendosur të nënshkruajnë një peticion drejtuar institucioneve përgjegjëse. Të kërkosh rrugë në vitin 2026 është fatkeqësi kombëtare. Sa herë protestojmë, hedhin një dorë çakull, por kjo nuk është zgjidhje”, u shpreh ai.
Sipas tij, situata rëndohet edhe më shumë nga qarkullimi i automjeteve të rënda.
“Kalojnë mbi 2 mijë trajlera në ditë, imagjinoni në çfarë gjendjeje janë banorët e kësaj zone. Ata do të ndjekin edhe rrugën ligjore në prokurori dhe gjykatë", shtoi Kalaja.
Banorët apeluan që institucionet të ndërhyjnë për rikonstruksionin e rrugëve të dëmtuara në zonën e Krujës, të cilën e cilësuan si një nga zonat më të neglizhuara për investime infrastrukturore.
Lini një Përgjigje