
Avokati Spartak Ngjela ka komentuar propozimin e kryeministrit Edi Rama për krijimin e Asocacionit të komunave me shumicë serbe në Veri.
Ngjela e cilësoi dorëzimin e draft-statutit në Gjermani dhe Francë si një skandal historik të Tiranës zyrtare. Avokati theksoi se shteti i Francës nuk ka punë me territoret shqiptare, pasi gjatë historisë ka qenë faktor kyç për lënien jashtë të territoreve të Shqipërisë.
Ngjela deklaroi se Kosova duhet të ndjekë vetëm politikën amerikane dhe Washingtonin.
“Ishte një skandal historik i Tiranës. Ç’punë ka Franca me territorin shqiptar? E di kryeministri Rama që Franca në vitin 1912 ka qenë autori kryesor që shqiptarët humbën 2/3 e territorit, i mori Serbia me Greqinë edhe Mali i Zi. Franca është shtet që gjithmonë ka qenë kundër territorit të gjerë të Republikës së Shqipërisë. As presim gjë fare nga ata, ne jemi nën suzerenitet amerikan. Politika amerikane na dha një shtet, atë që na i kishte marrë politika franceze.
Ata prapë lëvizin me këto gjëra, kanë gjetur Ramën tani. Rama të kthehet në Shqipëri, t’i lejë në punët e vetë kundërshtarët e Shqipërisë. Hajdeni në Shqipëri dhe bashkojuni me politikën amerikane. Vetëm politika amerikane i ka njohur zgjedhjet në Veri.”, tha Ngjela për Euronews Albania.
Kryeministri Edi Rama ditën e djeshme ka deklaruar se i ka dërguar një draft Gjermanisë e Francës për Asociacionin e komunave serbe. Në një konferencë urgjente për gazetarët, Rama u shpreh i shqetësuar dhe tha se situata po bëhet edhe më alarmante.
"Palët nuk po merren dot vesh as se kush do e shkruajë këtë tekst jo më çfarë do të ketë teksti. Ky është dokument konfidencial i cili nuk pretendon të jetë zgjidhja ideale por është një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë arsyet për krijimin e asociacionit dhe se ai është pjesë e organizimit të jetës në republikën e Kosovës. Adreson të gjithë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të saj. Shpresoj që ky material ta çojë dialogun në një nivel tjetër, e jo të flasin me vete e për vete. Situata po bëhet alarmante dhe unë nuk mund të qëndroj spektator duke parë si Kosova tkurret. Jam i shqetësuar për tonet ultimative të aleatëve që mund të sjellin pasoja të mëdha", tha Rama.
Lini një Përgjigje