
Pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Tiranës për ndryshimin e masës së sigurimit nga arresti në burg në arrest shtëpie për tre të akuzuarit e vrasjes së të riut Martin Çeços, avokati i dy prej të dyshuarve, Valter dhe Edlir Mollaj, ka reaguar me një deklaratë për mediat.
Në deklaratën e tij, mbrojtësi i të dyshuarve ka theksuar se ligji procedural penal parashikon që afati i paraburgimit të mos kalojë tre vjet, dhe se pas këtij afati, gjykata duhet të marrë një vendim të formës së prerë.
Sipas tij, në këtë rast, afati i paraburgimit është kaluar që në 16 qershor 2025, dhe kjo i ka detyruar ata të kërkojnë ndryshimin e masës së sigurisë.
Avokati ka theksuar gjithashtu se, në vendim të ndryshimit të masës, Gjykata e Apelit ka konfirmuar “humnerën e fuqisë së paraburgimit”, një veprim që sipas tij është një korrektim i vendimmarrjes së Gjykatës së Shkallës së Parë.
“Nuk është vendim për ndryshimin e masës së sigurimit por gjykata e Apelit ka konceptuar humbjen e fuqisë së paraburgimit që janë koncepte të ndryshme dhe ka korrigjuar vendimmarrjen e Gjykatës së Shkallës së Parë. Për dijeni të publikut e të të gjithëve, ligji proçedurial penal parashikon një kohëzgjatje të afateve të paraburgimit tërësore jo më shumë se tre vjet, kohë gjatë së cilës sistemi gjyqësor duhet të dalë me një vendim të formës së prerë. Kjo kohëzgjatje ka përfunduar që në datën 16 Qershor 2025 dhe në momentin që ju drejtova Gjykatës së Shkallës së Parë, me shumicë votash ajo e rrëzoi kërkesën time me një arsyetim që për mua është joproçedurial, vendim i cili u bë objekt ankimimi në gjykatë nga ana ime dhe gjykata e apelit në Tiranë dje ka shqyrtuar çështjen dhe ka konceptuar humbjen e fuqisë së paraburgimit dhe ka urdhëruar lirimin e personave. Në këto raste, ligji parashikon që gjykata nuk mund të japë një tjetër paraburgim por mund të japë çdo masë sigurimi tjetër.
Përse e thashë që në fillim të deklaratës se gjykata pjesërisht ka zgjidhur çështjen dhe pjesërisht ka cenuar interesin e të pandehurve? Jeni të njohur besoj me vendimin e gjykatës kushtetuese me numër 40 të datës 17 qershor 2025 në çështjen Margjeka. Gjykata kushtetuese në mënyrë përfundimtare sqaroi se arresti në shtëpi është paraburgim, njëlloj si arresti me burg. Pra vendimmarrja e gjykatës së apelit dje, ka shkelur këtë vendim të gjykatës kushtetuese duke caktuar përsëri një tjetër paraburgim, siç është arresti në shtëpi. Gjykata dje kishte vetëm një zgjidhje ligjore, që mund të caktonte masa të tjera siç është “detyrim paraqitje” ndoshta edhe me “ndalim të daljes jashtë shtetit”. Këtë kam kërkuar dhe kjo ishte zgjidhja e drejtë e çështjes. Gjykata ka pranuar të konstatojë humbjen e fuqisë së paraburgimit “arrest me burg” dhe ka caktuar një paraburgim tjetër “arrest në shtëpi” e cila është një absurd proçedurial.
Ndaj unë me padurim po pres që të zbardhet për ta çuar në gjykatën e lartë e më tej në gjykatën kushtetuese për të sqaruar në mënyrë përfundimtare dhe për ti hequr mekanizmin joproçedurial që po përdorin një pjesë e gjykatave duke dhënë pas mbarimit të afateve të paraburgimit, arrestin në shtëpi që është antikushtetues. Kishim vetëm një llogaritje matematikore, nuk është zgjidhur çështja në themel.
Çështja në themel vijon në gjykatën e shkallës së parë në Korçë ku në datën 5 është planifikuar seanca për të vijuar gjykimin në themel sipas detyrave të dhëna nga vendimmarrja e gjykatës së apelit në momentin që prishi vendimin. Çështja nga gjykata e apelit është prishur dhe kthyer për rigjykim, ndërsa ka specifikuar në vendimin e saj një sërë detyrash të cilat prej nesh ishin kërkuar në mënyrë sistematike që në fazën e hetimeve. Kryesisht në themel është urdhëruar marrja e të dhënave nga kompania Meta. Jemi në momentin fillestar dhe në rigjykim do të duhet të shprehet në kërkesat tona. Nuk ka liruar dje gjykata, ka konstatuar një diçka shumë proçeduriale e teknike që ka të bëjë me afatet e paraburgimit.“, deklaroi ai.
Ndërkohë, pas vendimit të Gjykatës, babai i 26-vjeçarit Martin Çeço ka reaguar ashpër. I tronditur dhe i revoltuar, Nevzat Çeço deklaroi se ndihet i braktisur nga drejtësia dhe se familja e tij po përballet me një dhimbje të pashërueshme që prej qershorit 2022.
Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se djali i tij “nuk kishte asnjë faj” dhe se krimi u krye nga persona që tashmë janë identifikuar dhe kanë dhënë edhe deklarime për ngjarjen, por që sot po përfitojnë nga lehtësimi i masave të sigurisë.
Ai tha se do e bëjë vetë drejtësinë duke i djegur me benzinë autorët dhe më pas me vetëflijim në sallën e gjyqit. Gjithashtu thekson se nuk ka frikë më nga vdekja dhe nuk pranon që autorët që e deklaruan përfshirjen në krim, të lirohen pa dënim fare.
“S’kam çfarë të them më. Djali më iku pa asnjë faj. Unë do ta ndjek që nesër. Do t’i përvëloj ata me benzinë, do ti përvëloj nuk i le. Arrest shtëpie, lirim janë ato. Mua nuk më dhimbset jeta fare, po nuk i zhduka ata. Nuk i lë, do ta them troç, le të më arrestojnë ç’të duan le të bëjnë, do t’ia gjej radhën, do gjej një bidon me benzinë do t’i përvëloj si familje”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje