TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Qershor 2025, 17:21

Anuela Ristani reagon pas dy ditësh për sulmin kibernetik: Të gjitha të dhënat janë të paprekura dhe nuk ka humbje informacioni

Shkruar nga Pamfleti

Anuela Ristani reagon pas dy ditësh për sulmin kibernetik: Të

Dy ditë pas sulmit kibernetik ndaj sistemit digjital të Bashkisë së Tiranës, ka ardhur reagimi zyrtar nga kryetarja e komanduar, Anuela Ristani. Në një njoftim publik, ajo e cilëson ndërhyrjen si një nga sulmet më të sofistikuara të regjistruara deri më tani, por thekson se nuk ka pasur asnjë dëm në të dhënat apo funksionimin e përgjithshëm të shërbimeve.

“Sistemi është goditur përmes komprometimit të një licence origjinale të Microsoft, duke treguar një nivel të lartë koordinimi dhe sofistikimi”, deklaroi Ristani, duke nënvizuar se ky është sulmi i 15-të i ngjashëm në vetëm gjashtë muaj nga hakerët iranianë.

Megjithëse platforma digjitale e Bashkisë nuk klasifikohet si infrastrukturë kritike dhe nuk është nën mbikëqyrjen direkte të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, janë marrë të gjitha masat për rikuperim dhe siguri të mëtejshme. Të gjitha të dhënat janë të paprekura, ndërsa vetëm 10 nga 80 serverë janë nën vëzhgim për masa shtesë sigurie.

“Po kalojmë drejt forcimit të mëtejshëm të infrastrukturës, në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të sigurisë”, tha Ristani, duke garantuar qytetarët për transparencë dhe mbrojtje të të dhënave.

Bashkia e Tiranës, ashtu si institucionet e tjera publike, vijon të mbetet në shënjestër të sulmeve të përsëritura, ndërsa sfidat e sigurisë kibernetike po kthehen në realitet të përditshëm.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar qytetarë të Tiranës,

Dua t’ju informoj se Bashkia e Tiranës ka qenë së fundmi objekt i një sulmi kibernetik shumë të sofistikuar. Ky është një ndër 15 sulmet e ngjashme që kemi regjistruar vetëm në gjashtë muajt e fundit, duke reflektuar realitetin e ri të kërcënimeve digjitale që përballim çdo ditë.

Sulmi i fundit u realizua përmes komprometimit të një licence origjinale të Microsoft, çka tregon nivelin e lartë të koordinimit dhe sofistikimit të këtij akti.

Dua të theksoj se, edhe pse platforma jonë nuk klasifikohet si infrastrukturë kritike sipas legjislacionit aktual dhe nuk është nën mbikëqyrjen direkte të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, ne kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për rikuperimin e plotë të sistemeve.

Të gjitha të dhënat janë të paprekura dhe nuk ka humbje informacioni.

Prej 80 serverëve total, 10 prej tyre janë nën vëzhgim.

Aplikacioni i çerdheve dhe kopshteve dhe rikthimi i lidhjes me AKSH-in për shërbimin e lejeve) po kontrollohen në mënyrë rigoroze për të garantuar që nuk ka mbetje malëare-i para se të aktivizohen.

Në këtë fazë, po kalojmë drejt një procesi rehabilitimi dhe forcimi të mëtejshëm të infrastrukturës sonë digjitale, në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të sigurisë.

Ju falënderoj për mirëkuptimin dhe ju siguroj se do të vazhdojmë të punojmë me transparencë dhe përkushtim për të mbrojtur të dhënat dhe interesin e çdo qytetari.

 

Lini një Përgjigje