Makaronat e gatuara nga “SORI-AL”, me baktere Escherichia coli dhe Staphylococcus...
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar kompaninë “SORI-AL”, pas dyshimeve për helmimin e 52 studentëve të Akademisë së Sigurisë në Sauk.
Sipas njoftimit zyrtar të AKU-së, gjatë kontrolleve dhe analizave laboratorike janë marrë nëntë mostra ushqimore, përfshirë lëndë të para dhe produkte të gatshme.
Nga analizat e kryera në laboratorin e referencës ISUV rezultoi se tetë mostra ishin brenda normave të lejuara, ndërsa një mostër makarone, produkt i gatshëm i marrë në kuzhinën e Akademisë së Sigurisë, rezultoi jokonforme për shkak të ngarkesës mbi normë me bakteret Escherichia coli dhe Staphylococcus koagulaze pozitive.
Për këto rezultate, AKU vendosi ndërprerjen e aktivitetit të subjektit deri në përmbushjen e kërkesave ligjore për pastrimin dhe dezinfektimin e ambienteve dhe pajisjeve të punës.
Në vijim të hetimeve dhe gjurmimit të origjinës së produkteve, AKU ushtroi kontrolle edhe në ambientet e Garnizonit “Skënderbej” pranë Forcave të Armatosura, ku kryhej prodhimi i ushqimeve për Akademinë e Sigurisë.
Pas konstatimeve të institucioneve shëndetësore mbi problematikat higjieno-sanitare dhe rezultatet jokonforme të analizave, autoriteti vendosi pezullimin e aktivitetit të kompanisë edhe në këtë adresë.
Ndaj subjektit “SORI-AL” u vendos gjithashtu një masë administrative me gjobë në vlerën 1.5 milionë lekë për tregtim ushqimi të pasigurt dhe shkelje të kushteve higjieno-sanitare.
Kompania “SORI-AL”, në pronësi të Alma Tafanit, gruaja e Nikolin Jakës, siguronte kateringun me tre vakte për studentët e Akademisë së Sigurisë. Administratorja e kompanisë është shpallur në kërkim nga policia.
Ndërkohë, në lidhje me këtë çështje janë arrestuar kuzhinieri Kujtim Ballgjini dhe teknologia e ushqimit Kristjana Plaka, ndërsa një tjetër teknologe ushqimi po hetohet në gjendje të lirë.
Sipas të dhënave zyrtare, deri në fund të vitit 2025 kompania “SORI-AL” ka fituar 75 tendera publikë me një vlerë totale prej 4.2 miliardë lekësh.
Njoftimi
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vijim të informimit publik dhe transparencës bën me dije, se referuar çështjes për dyshim helmimi të disa kursantëve pranë Akademisë së Sigurisë, Sauk, nga AKU janë kampionuar nëntë mostra (lëndë të para dhe produkte të gatshme).
Nga laboratori i Referencës ISUV informohemi se tetë mostra të kampionuara kanë dalë brenda normave dhe një kampion makarona produkt i gatshëm ka rezultuar jokonform për ngarkesë mbi norme Escherichia.Coli dhe B staphylococcus koagulaze pozitive, mostër kjo e kampionuar në kuzhinën brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë, Sauk.
Për këto gjetje AKU mori masën e ndërprerjes së aktivitetit, deri në plotësimin e kërkesave ligjore nga OBU për pastrimin dhe dezinfektimin e ambienteve dhe pajisjeve të punës.
Në vijim të ndjekjes së gjurmueshmërisë, në adresën Garnizoni “Skënderbej” pranë Forcave të Armatosura, ku është kryer prodhimi i këtyre produkteve, referuar konstatimeve të institucioneve shëndetësore, mbi raportin përfundimtar të hetimit epidemiologjik për rezultatet jokonforme për tregues të higjenës, evidentuar në kampionët në ruajtje si dhe në disa prej pajisjeve të punës,
AKU mori masa për ndërprerjen e aktivitetit të subjektit SORI-AL edhe në adresën Garnizoni “Skënderbej” pranë Forcave të Armatosura.
Gjithashtu u vendos masë administrative me gjobë në vlerën 1,500,000 lekëve për ushqim të pasigurt dhe kushte higjieno-sanitare.
Subjektit iu la detyrë marrja e masave për kryerjen e procedurës së asgjësimit referuar produktit të bllokuar rezultuar jo konform.
Në garnizonin "Skënderbej" duhet të kishte shkuar që në krye të herës AKU, sepse aty është çerdhja e gjithçkaje...aty minjtë janë më të mëdhenj se personeli...aty të gjithë ankohen për ushqimin, por gjithçka mbyllet me heshtje sepse familjarë të Almës, ... nëna si me letra në kompani, por më shumë motra që punon me letra në MM dhe menaxhon aktivitetin aty... kanë në dorë edhe titullarët e institucioneve në garnizonin....