TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet14 Maj 2026, 12:35

Goditja e grupeve kriminale ndërkufitare, Skënder Hita takime me homologët dhe zyrtarët britanikë në Kosovë

Shkruar nga Pamfleti

Goditja e grupeve kriminale ndërkufitare, Skënder Hita takime me

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita zhvilloi takime me drejtues të policive të rajonit dhe zyrtarë britanikë, me fokus luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe grupeve kriminale.

Takimet u zhvilluan në kuadër të konferencës mbi rezultatet e Taskforcës së Përbashkët për Migracionin, të mbajtur në Kosovë, ku Hita u takua me homologët e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe me përfaqësues të lartë të agjencive ligjzbatuese të Mbretërisë së Bashkuar.

Gjatë diskutimeve me drejtuesit e policive të rajonit, fokusi kryesor ishte forcimi i bashkëpunimit operacional dhe koordinimit ndërkufitar për goditjen e fenomeneve kriminale dhe grupeve të organizuara që veprojnë në disa shtete.

Palët ranë dakord për rritjen e reagimit të koordinuar në kohë reale ndaj aktiviteteve kriminale, si dhe për thellimin e hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta.

"Reagim i koordinuar në kohë reale kundër fenomeneve kriminale dhe thellim i hetimeve e operacioneve të përbashkëta për goditjen e grupeve kriminale ndërkufitare”, u tha në takim.

Një tjetër çështje e trajtuar ishte menaxhimi i fluksit në pikat kufitare gjatë sezonit turistik. Për këtë arsye, drejtuesit dakordësuan shtimin e sporteleve dhe burimeve njerëzore në pikat e kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, me synimin për të garantuar lëvizje më të shpejtë dhe shërbim më cilësor për qytetarët.

Në kuadër të konferencës, Hita zhvilloi takime edhe me zëvendësdrejtoren e Inteligjencës në Home Office të Mbretërisë së Bashkuar, Vikki Pullen, si dhe me zëvendësdrejtorin e Komandës së Sigurisë Kufitare, Jack Joseph.

Gjatë takimit, kreu i Policisë së Shtetit rikonfirmoi “angazhimin dhe vendosmërinë për thellimin e bashkëpunimit me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare”.

Nga ana e tyre, zyrtarët britanikë vlerësuan rezultatet e arritura në kuadër të Taskforcës së Përbashkët për Migracionin dhe e cilësuan Policinë e Shtetit shqiptare “një partner kyç dhe të besueshëm në përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë”.

skender hita zyrtare takime kosove

Lini një Përgjigje