TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Tetor 2023, 21:47

Aksionet antikorrupsion/ OSBE në mbështetje të SPAK, Altin Dumani premton të tjera goditje

Shkruar nga Pamfleti
Aksionet antikorrupsion/ OSBE në mbështetje të SPAK, Altin Dumani
Foto nga trajnimi

Teksa politika zien nga akuzat e ngritura ndaj Sali Berishës, por edhe dosjet që po hetohen për përfaqësues të mazhorancës, ndërkombëtarët kanë dalë në mbështetje të prokurorëve dhe gjyqtarëve që kanë marrë  përsipër të shfarosin korrupsionin.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës, organizoi një trajnim për “Hetimin dhe gjykimin e veprave penale në fushën e prokurimit publik”.

Trajnimi u hartua mbështetur në fushat me interes të identifikuara nga prokurorët e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe nga gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të cilët ishin përfituesit kryesorë të kësaj veprimtarie.

Ai u përqendrua te rreziqet e lidhura me procedurat e prokurimit, risitë ligjorë, teknikat e posaçme në hetimin e veprave penale në fushën e prokurimit publik, koncesionet dhe partneritetet publik-privat, dhe në shkëmbimin e praktikave më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare në këtë fushë, edhe përmes bashkëpunimit ndërkombëtar.

I pranishëm ishte dhe kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili ka mbajtur qëndrimin e parë publik pa sulmeve të forta që i kanë ardhur nga kampi blu. Dumani duket i vendosur në goditjen e pushtetarëve të korruptuar.

SPAK u ka kushtuar një vëmendje të veçantë veprave penale të kryera në kuadër të korrupsionit të funksionarëve publikë, ku përfshihen edhe ato në fushën e prokurimit publik. Qasja e re e ndjekur konsiston në rritjen e efektivitetit të hetimeve nëpërmjet rritjes së kapaciteteve njerëzore, kryesisht në fushën e hetimeve financiare. Nga ana tjetër, formulimi ligjor i veprave penale përkatëse mund të ketë nevojë për përmirësime të mëtejshme”, tha ai.

OSBE tha se trajnimi u zhvillua në kuadër të përpjekjeve ndërdepartamentale të Prezencës së OSBE-së për të mbështetur Shqipërinë për të çuar përpara zbatimin e reformës antikorrupsion në vend dhe për të konsoliduar shtetin e së drejtës.

Por takimi i sotëm duket se është një mesazh për politikën. Sali Berisha po e sulmon SPAK. Po ashtu dhe deputetët pranë tij. Mirëpo OSBE ka dhënë mesazhin se ndërkombëtarët e mbështesin këtë organ. Dhe jo vetëm kaq, po punojnë që ai të intensifikojë goditjet antikorrupsion.

Lini një Përgjigje