TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Shtator 2024, 11:52

7 dibranët e SPAK, hedhin në kosh dosjen e bashkë patriotit të tyre, Rakip Suli në Bashkinë- Kamzë

Shkruar nga Pamfleti

7 dibranët e SPAK, hedhin në kosh dosjen e bashkë patriotit

Për Rakipin nga Dibra, prokurorët dibranë nuk mund ta bëjnë gjakun ujë e as të shkelin bukën; por përveç dibranizimit të SPAK, thuhet se hetimi është bllokuar dhe për faktin, se në aferat e Rakip Sulit me tenderët, dalin të implikuar dhe Lindita Nikolla, Engjëll Agaçi, Bledar Çuçi dhe Ogerta Manastirliu...

Rasti i hetimit që SPAK filloi për krye hajdutin e Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli e nuk po kryen veprime konkrete, përforcon bindjen, se kur gjërat lihen në heshtje nuk harrohen, por kutërbojnë erë të keqe për imazhin e drejtësisë së re.

Jemi përballë faktit, që në muajin shkurt 2023, ndaj kryetarit të Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, nisi një hetim për korrupsion e pabarazi në tenderë, falsifikim dokumentesh në bashkëpunim e vjedhje fondesh publike, mbështetur në disa kallëzime penale dhe në raportin e KLSH-ës.

Më 3 maj 2023, krye bashkiaku Rakip Suli u thirr fshehurazi në SPAK, për sqarime lidhur me akuzat e provat e vjedhjeve që ka bërë qysh prej muajit gusht 2019 kur filloi detyrën, thirrje për të cilën SPAK nuk bëri njoftim publik.

Më 11 shtator 2023, një përfaqësi e banorëve të Kamzës, bënë kallëzimin tjetër penal në SPAK për krye bashkiakun Rakip Suli, ku dorëzuan prova të reja korrupsioni e mashtrimi me investimet publike si shkolla, rrugë, ujësjellës, kopshte fëmijësh, banesat e rindërtuara etj.

Më 6 nëntor 2023, Rakip Suli u thirr publikisht në SPAK, ku hyri i zverdhur e doli i qeshur, duke u thënë gazetarëve:  - Jam shumë i gëzuar, që erdhi dita kur zyrtarët japin llogari para SPAK-ut që e krijoi Edi Rama e PS-ja; falënderova prokurorët për punën e tyre të pavarur.

Por pas 2 ditësh, më 8 nëntor 2023, Rakip Suli u thirr përsëri në SPAK dhe pas daljes prej andej, tha se nuk u pyet si kryetar Bashkie i kallëzuar penalisht, por si person që ka dijeni për disa çështje që nuk lidhen me funksionin e tij.

Prej 11 muajsh, Rakip Suli nuk është thirrur më nga SPAK, madje sipas informacionit të ardhur në “Pamfleti”, agjentët e BKH-së që u ngarkuan për dosjen e tij, janë urdhëruar të ndërpresin hetimin në Bashkinë Kamzë, në Thesarin e Shtetit, Banka, Agjencinë e Prokurimit Publik, në kompanitë që kanë marrë tenderët dhe verifikimin fizik të investimeve e shërbimeve të tenderuar nga Rakip Suli e rezultojnë 26 milionë Euro vjedhje.

Madje në dosje është dhe kjo provë: Bashkia Kamzë, me urdhër të kryetarit Rakip Suli, nuk u ka marrë firmave të ndërtimit për llogari të Bashkisë, 3% të objekteve për banesa sociale, që sipas lejeve e sipërfaqeve të ndërtimit, janë 3600 m2 sipërfaqe.

Aq sekret po mbahet hetimi për Rakip Sulin, sa nuk dihet as prokurori i çështjes; por dihet, që në SPAK, drejtuesi Altin Dumani dhe 6 prokurorë janë nga Qarku i Dibrës, konkretisht, Adnan Zholi, Dritan Prençi, Anita Jella, Manjola Kajana, Vladimir Mara e  Elida Kaçkini.

Pra, 7 prokurorët dibranë si rreth e qark i Dibrës, kanë lënë në heshtje, e siç duket kanë hedhur në kosh, hetimin për korrupsionin dhe vjedhjet që ka bërë krye hajduti dibran i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, megjithëse ka dy dosje kallëzimesh penale e një raport të KLSH.

Për Rakipin nga Dibra, prokurorët dibranë nuk mund ta bëjnë gjakun ujë e as të shkelin bukën; por përveç dibranizimit të SPAK, thuhet se hetimi është bllokuar dhe për faktin, se në aferat e Rakip Sulit me tenderët, dalin të implikuar dhe Lindita Nikolla, Engjëll Agaçi, Bledar Çuçi, Ogerta Manastirliu etj./Pamfleti

 

rakip suli bashkia kamzë dibranë spak

Lini një Përgjigje