TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Mars 2024, 07:35

55 milionë euro investim, sot hapet baza ajrore e NATOS-s në Kuçovë

Shkruar nga Pamfleti
55 milionë euro investim, sot hapet baza ajrore e NATOS-s në
Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë

Ditën e sotme do të përurohet në Kuçovë baza ajrore e restauruar që tashmë është vënë në dispozicion të Aleancës së Atlantikut Verior.

Kjo bazë do të shërbejë si qendër për aktivitetet e Forcës sonë Ajrore, duke ofruar infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës.

Punimet për rikonstruksionin e saj nisën në janar të vitit 2022. Prej asaj kohe është punuar për sistemin e rrethimit dhe të sigurisë e po ashtu të mbrojtjes në perimetrin ku shtrihet kjo bazë.

Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë investuar nga qeveria shqiptare.

Autoritetet shqiptare kanë marrë përsipër ndërtimin e perimetrit të sigurisë dhe rrugëve lidhëse, ndriçimit, vendosjen e kamerave të sigurisë së bazës si dhe të sensorëve të zbulimit të ndërhyrjeve përgjatë rrethimit të bazës.

Baza ajrore e Kuçovës ishte pjesë e bisedimeve dypalëshe mes kryeministrit Rama dhe sekretarit Anthony Bliken.

Shefi diplomacisë amerikane deklaroi se kjo bazë do të ketë ndihmën e të gjithë vendeve partnere në NATO për pajisjen e saj me teknologjinë më të fundit.

Blinken shtoi se “fakti që pak javë më vonë do të përurohet baza ajrore e Kuçovës, është një mënyrë e mrekullueshme për të nënvizuar dhe theksuar angazhimin që Shqipëria ka bërë ndaj NATO-s dhe NATO ka ndaj Shqipërisë”.

AXHENDA

Fjala hapëse do të mbahet ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, pas tij do të flasë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Arben Kingji. Pas dy zyrtarëve të lartë të Mbrojtjes në Shqipëri, fjalën do ta marrë përfaqësuesja e NATO-s, Stacy. A. Cummings.

Në ceremoni do të mbajë një fjalë përshëndetëse edhe Gjenerallejtënant Juan Sanchez de Lara, Komandanti i Qendrës së Kombinuar të Operacionit Ajror të NATO-s në Bazën Ajrore Torrejón, Spanjë.

Të pranishëm do të jetë edhe ministri turk i Mbrojtjes Yasar Guler si dhe ministri Italian i Mbrojtjes Guido Croseto, të cilët po ashtu do të flasin në ceremoninë e hapjes.

Pas tyre kryeministri Edi Rama do të ketë fjalën përshëndetëse, i ndjekur nga kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, ndërsa fjala përshëndetëse do të mbyllet nga presidenti Bajram Begaj, i cili është edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

baza ajrore e natos-s në kuçovë 55 milionë euro investim

Lini një Përgjigje