
Tre vite pas përplasjes së 8 janarit 2022, lideri i atëhershëm është harruar, ndërsa i “harruari” është kthyer sërish në krye.
Të shtunën e 8 janarit 2022, grupimi i quajtur asokohe “Foltore” dhe i drejtuar nga Sali Berisha, sulmoi me dhunë godinën e Partisë Demokratike me pretendimin për ta marrë atë, ndërkohë grupimi asokohe, zyrtar i PD drejtuar nga Lulzim Basha e mbrojti po me dhunë duke blinduar dyer dritare dhe duke kundër sulmuar.
Për disa orë, levat e hekurit, shkallët dhe shkopinjtë u vunë në punë për të hapur dyert që ishin blinduar me urdhër të Lulzim Bashës, ndërkohë që në disa momente u kryen edhe përleshje fizike mes dy palëve. Me fjalë të tjera, ishte një luftë civile brenda PD-së.
Vetëm ndërhyrja e policisë duke përdorur gaz lotsjellës dhe shkopinjtë e gomës bëri që turma të largohej nga selia, ndërsa ata që ishin brenda saj të dilnin nën panik. Kjo përplasje do të ishte kulmi i një vargani të gjatë përçarjesh mes demokratëve.
Çfarë ndodhi më pas?
Më 21 mars kryetari, Lulzim Basha do të jepte dorëheqjen dhe që nga ai moment në krye të PD i komanduar do të vinte Enkeled Alibeaj. Një përplasje e gjatë ligjore dhe politike do të niste mes grupit të Berishës dhe Bashës për të marrë vulën e PD-së, por edhe për të marrë shumicën e grupit parlamentar.
Fillimisht “Foltorja” e Berishës, nuk arriti ta bashkojë partinë dhe të dominojë grupin parlamentar, ndikuar kjo dhe nga rezistenca e kryetarit të komanduar Enkelejd Alibeaj. E gjithë kjo situatë do të merrte fund, më datë 11 qershor 2024, kur Gjykata e Apelit do vendoste t’i kalonte vulën Sali Berishës. Grupi i Alibeajt do të shpërbëhej dhe shumica e deputetëve do të kalonin krah Berishës.
Si është Partia Demokratike tre vite pas “vdekjes klinike”?
Tre vite pas përplasjes së 8 janarit 2022, lideri i atëhershëm është harruar, ndërsa i “harruari” është kthyer sërish në krye. Të gjitha ata që dikur betoheshin se nuk do të pranonin kurrë Berishën si kryetar dhe se do të largoheshin nga politika nëse një gjë e tillë ndodhte, sot i bëjnë “fresk” Saliut.
Edhe pse duhet thënë se aktualisht PD-ja duket e bashkuar, influenca dhe ndikimi i saj në elektorat ka rënë ndjeshëm. Dalja e partive të reja duket se do t’i prishin shumë punë PD-së dhe PS-së, por duke qenë se demokratët janë të dobët aktualisht, pasojat do të jenë më të mëdha për ta.
A mund të përsëritet 8 janari në PD?
Me zgjedhjet parlamentare vetëm 5 muaj larg, një katastrofë elektorale duket në horizont për demokratët. Nëse një gjë e tillë ndodh, përsëritja e një 8 janari të dytë nuk duket të jetë larg, por kësaj radhe me Berishën në pozitat e Bashës./Pamfleti
Lini një Përgjigje