TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 1 Mars 2026, 21:52

1500 shqiptarë në Emiratet Arabe, MEPJ: Situata është e qetë, të gjithë të bëjnë kujdes

Shkruar nga Pamfleti
1500 shqiptarë në Emiratet Arabe, MEPJ: Situata është e
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas sulmeve iraniane në territorin e Emirateve të Bashkuara Arabe, duke bërë të ditur se situata aktualisht paraqitet e qetë dhe nuk ka raportime për shtetas shqiptarë të lënduar.

Sipas njoftimit zyrtar, autoritetet shqiptare janë në kontakt me strukturat përkatëse në terren, ndërsa qytetarëve shqiptarë që ndodhen në Emirate u është kërkuar të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.

Ministria informon gjithashtu se hapësira ajrore e Emirateve të Bashkuara Arabe është mbyllur përkohësisht, si masë sigurie pas zhvillimeve të fundit.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Abu Dhabi është vënë në dispozicion të plotë të qytetarëve shqiptarë për çdo nevojë apo informacion shtesë.

Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë me dije për "Report Tv" se ndërkohë që Irani po kryen sulme raketore në Emiratet e Bashkuara Arabe, atje ndodhen rreth 1500 shtetas shqiptarë rezidentë dhe po aq turistë, por fatmirësisht nuk ka të lënduar.

Reagimi i Ministrisë së Jashtme:

Ju informojmë se Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe po ndjek me vëmendje situatën në terren pas sulmeve nga Irani dhe është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e linjës së sigurisë në Abu Dhabi. 

Ambasada informon se situata e sigurisë në EBA për momentin është e qetë dhe nën kontroll, pasi forcat e armatosura të Emirateve kanë interceptuar dhe neutralizuar shumicën e sulmeve me raketa dhe dronë të nisura nga Irani, kryesisht mbi instalacionet ushtarake dhe bazat amerikane në Abu Dhabi dhe Dubai. Në disa raste, si pasojë e këtyre sulmeve dhe interceptimeve, mbetjet raketore kanë rënë në disa zona banimi. Deri më tani, 3 qytetarë kanë humbur jetën, ndërsa 50 qytetarë janë plagosur. Fatmirësisht, nuk ka shtetas shqiptarë të lënduar.

Në Emirate vlerësohet të ketë rreth 1500 shtetas shqiptarë rezidentë dhe po aq turistë, të cilët hyjnë pa një regjim vizash dhe pa qenë të detyruar të regjistrohen në Ambasadë gjatë udhëtimit të tyre. Ambasada ka qenë dhe është në kontakt të vazhdueshëm me bashkëatdhetarët për informacione dhe udhëzime të mëtejshme gjatë dhe pas sulmeve.

Qytetarëve u është kërkuar të jenë të kujdesshëm, duke shmangur daljet e panevojshme dhe duke ndjekur udhëzimet e sigurisë nga autoritetet lokale.

Hapësira ajrore e Emirateve të Bashkuara Arabe, ashtu si ajo e të gjitha vendeve të Gjirit, është e mbyllur përkohësisht si pjesë e masave për interceptimin e sulmeve dhe do të vazhdojë e tillë deri në një njoftim të dytë nga autoritetet vendase. Hapja e hapësirës ajrore do të ndodhë në momentin kur të mos ketë më sulme dhe kur edhe vendet fqinje të bëjnë të njëjtin hap. Kjo pasi vende si Arabia Saudite, Katari, Kuvajti, Jordania apo edhe Bahreini e kanë të mbyllur hapësirën ajrore dhe është i pamundur për momentin kalimi tranzit mbi këto territore. Fillimi i fluturimeve do të jetë i mundur vetëm pas normalizimit të situatës.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Abu Dhabi është në dispozicion të qytetarëve shqiptarë rezidentë apo turistë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe u kërkon të shmangin sa më shumë daljet e panevojshme, grumbullimet në qendra tregtare, dhe të kontaktojnë për çdo nevojë në numrin e emergjencës: +971 50 980 7881.

Lini një Përgjigje