TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Janar 2024, 16:00

A u vra Xhevat Hana? Familjarët e prokurorit që hetoi zhdukjen e Remzi Hoxhës kërkojnë drejtësi: Jetën ja morën kriminelët gjakpirës!

Shkruar nga Pamfleti
A u vra Xhevat Hana? Familjarët e prokurorit që hetoi zhdukjen e Remzi
Xhevat Hana

Ende sot e kësaj dite, familjarët kërkojnë drejtësi për prokurorin që po hetonte dosjen e famshme të zhdukjes së Remzi Hoxhës...

12-vite më parë, më 5 janar të vitit 2012 u nda nga jeta prokurori i njohur Xhevat Hana. Prokurori i Krimeve të Rënda vdiq në mënyrë të mistershme dhe të shumtë janë atë që dyshojnë se ai u helmua për shkak se kishte në duar dosje me shumë rëndësi. Vetë familjarët, sidomos i biri ngritën një pretendim të tillë, por drejtësia kurrë nuk u mor me rastin e tij.

Ende sot e kësaj dite, familjarët kërkojnë drejtësi për prokurorin që po hetonte dosjen e famshme të zhdukjes së Remzi Hoxhës. Vëllai i tij ka reaguar në rrjetet sociale dhe shpreson që drejtësia e re të hedhë dritë mbi të vërtetën.

Në 12-vjetorin e ndarjes padrejtësisht nga jeta të vëllait tonë, prokurorit Xhevat Hana! Kriminelët gjakpirës, bishat vrastare të pushtetit që kanë lyer duart me gjak, i morën jetën padrejtësisht dhe pabesisht në krye të detyrës, vetëm për të mbuluar krimet dhe vjedhjet që kanë kryer në këtë vend dhe mbi njerëz të pafajshëm.

Drejtësia për vëllanë tonë po vonon dhe do të vonojë përsa kohë që personat që kanë kryer këtë krim janë të pushtetshëm dhe qendrojnë të ulur në karriget e ligjvënësit. Nga vëllezërit dhe motrat”, shkruan Selami Hana në rrjetet sociale.

Xhevat Hana ishte një nga prokurorët më të njohur të Shqipërisë, me një karrierë të gjatë në drejtësi, për disa kohë dhe si këshilltar i presidentit Alfred Moisiu. Gjatë vitit 2011 ai qendroi i shtruar për një kohë të gjatë në një spital publik të Tiranës, por familjarët u detyruan ta transportonin në Itali për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, ku edhe ndërroi jetë më 5 janar 2012.

Para se të transferohej nga Prokuroria e Përgjithshme në fund të vitit 2007, i ndjeri Hana ishte përfaqësuesi i akuzës shqiptare për dosjen korruptive të rrugës Durrës-Kukës. Gjithashtu Hana ishte edhe prokurori i dosjes tjetër, atë të rrëmbimit, torturimit dhe zhdukjes pa gjurmë të Remzi Hoxhës, çështje që ka implikuar direkt Shërbimin Sekret të viteve ‘90, të drejtuar nga Bashkim Gazidede. Madje ishte pikërisht Hana që kërkoi ekstradimin e Ilir Kumbaros nga Anglia.

I pari që publikisht shprehu dyshimin se Xhevat Hana mund të ishte vrarë ishte djali tij, Rezarti, i cili në një prononcim për mediat vetëm 3 orë përpara vdekjes së babait, hodhi dyshimet e para të familjes, se mos babait i është injektuar sëmundja e rëndë nga faktorë të jashtëm për hir të procesit që po ndiqte, atë ndaj ish-funksionarëve të SHIK-ut, të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-­maqedonas, Remzi Hoxha.

Por, në një tjetër prononcim për mediat edhe daja i tij, Ahmet Çollaku, pretendoi se “nipi u helmua nga mafia shqiptare”. Dyshimet janë se vdekja e tij erdhi pikërisht për shkak të dosjes së Remzi Hoxhës. /Pamfleti 

Lini një Përgjigje