TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet21 Janar 2024, 10:11

104 vjetori i Kongresit të Lushnjës, Balla: Ngjarja më e madhe politike pas Shpalljes së Pavarësisë

Shkruar nga Pamfleti

104 vjetori i Kongresit të Lushnjës, Balla: Ngjarja më e madhe

Sot përkujtohet 104 vjetori i Kongresit të Lushnjës.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se kjo është ngjarja më e madhe politike pas Shpalljes së Pavarësisë, në historinë e shtetit shqiptar.

Balla theksoi se vendimet e Kongresit të Lushnjës shpëtuan Shqipërinë tonë nga copëtimi i mëtejshëm.

“Ky Kongres vendosi themelet e organizimit kushtetues dhe i dha udhë jetës politike, demokratike dhe parlamentare me disa gjetje të veçanta, të cilat ishin të diktuara nga konteksti i vështirë historik”, shkruan Balla.

Kongresi i Lushnjës

Kongresi i Lushnjës, një nga kuvendet kombëtare më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, hapi zyrtarisht punimet më 21 janar 1920, ndërsa punimet i zhvilloi nga data 28 deri më 31 janar 1920. Qëllimi i mbajtjes së Kongresit të Lushnjës ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarësisë së tij. Në të morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga pjesa më e madhe e krahinave të shtetit shqiptar.

Kongresi i Lushnjës mori vendime të rëndësishme politike. Ai hodhi poshtë planet e Konferencës së Paqes në Paris dhe u shpreh për mbrojtjen me çdo kusht të tërësisë dhe të pavarësisë së plotë të shtetit shqiptar në kufijtë e vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Gjatë punimeve të tij u miratua një akt kushtetues, në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar. Ai zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar si Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit.

U krijua Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, i cili do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar. Kongresi i Lushnjës me shumicë votash rrëzoi Qeverinë e Durrësit dhe zgjodhi një qeveri të re kombëtare të drejtuar nga Sulejman Delvina.

Lini një Përgjigje