Pas 1 ore e gjysëm në luftë me flakët e zjarrit, situata në lagjen “Ndoc Mazi” të Shkodrës në një treg të rrobave të përdorura, është stabilizuar.
Në një prononcim për mediat, kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci ka thënë se zjarri i përmasave të frikshme që “pushtoi” pasditen e sotme lagjen e qytetit verior, nuk përbën më një rrezik. Më tej, Beci u shpreh se zjarri ka shkaktuar dëme materiale, por lajmi i mirë është që nuk ka persona të lënduar.
'Sapo është stabilizuar situata. Ka 1 orë e gjysëm që është një luftë e vërtetë për të menaxhuar dhe për të mbajtur nën kontroll situatën e zjarrit. Mendoj se tani nuk ka më një rrezik. Jam i gëzuar që nuk patëm dëme në njerëz. Ka dëme materiale, situata ka qenë shumë e rëndë. Faleminderit të gjithë strukturave të zjarrfikësve që kanë ardhur këtu. Dua të theksoj se kjo situatë këtu, ku zjarrfikësit nuk kishin mundësi që të futeshin, kur e gjithë kjo katrahurë urbanistike e zonës, mendoj se ka qenë një shqetësim i madh. Kemi akoma punë për të pastruar situatën dhe për të vënë nën kontroll gjithë këtë hapësirë. Lajmi i mirë është që nuk kemi pasur dëme në njerëz dhe se situata e zjarrit tani është nën kontroll.', tha Benet Beci.
Ende nuk dihet shkaku i rënies së zjarrit që mori përmasa të frikshme, ndërsa u angazhuan të gjitha strukturat. Në terren janë 21 mjete zjarrfikëse të repartit të Shkodrës, ku erdhën në ndihmë edhe forca nga Malësia e Madhe, Lezha, Ulqini dhe Tivari.
Në vendngjarje ndërhynë edhe 110 efektivë të forcave zjarrfikëse, 30 efektivë të Policisë Shkodër, 20 efektivë të repartit të FNSH, 3 autoambulanca me personel nga Spitali i Shkodrës, 110 punonjës të Bashkisë Shkodër si dhe 30 efektivë të Repartit Ushtarak Vau Dejës.
Lini një Përgjigje