
Munir Nasraui, babai i futbollistit spanjoll Lamin Jamal, u bë i njohur publikisht pas ngjarjes së 14 gushtit 2024, kur u sulmua me thikë në qytetin Mataro.
Ai përfundoi në spital me tri plagë të rënda, që e lanë për disa ditë në gjendje kritike.
Hetimet për incidentin nisën menjëherë për të sqaruar shkaqet e konfliktit dhe tani janë bërë publike detaje të reja.
Sipas të dhënave gjyqësore, sherri ndodhi në një rrugë të lagjes Rokafonda dhe përfundoi me plagosjen e Nasrauit.
Ai u paraqit disa ditë më parë në Gjykatën Hetuese nr. 3 të Mataro, jo si viktimë, por si i akuzuar, pasi mbrojtja e agresorit pretendon se ky i fundit veproi pasi i mori thikën njërit prej miqve të Nasrauit dhe u qëllua me grusht, duke pësuar frakturë të hundës.
Sipas dokumenteve të hetimit, në të cilat ka pasur qasje ‘La Vanguardia’, ngjarja ndodhi pasi dy vëllezër, babai i tyre dhe një mik i familjes po prisnin Munir Nasrauin në parkingun e fushës së futbollit në Rokafonda.
Gjithçka nisi nga një kovë me ujë
Fillimi i konfliktit ishte banal: ndërsa Nasraui po ecte vetëm në rrugën ‘Frank Marsha’, një fëmijë që po luante në katin e tretë të një ndërtese i hodhi ujë nga dritarja.
Ai u lag dhe pak më vonë, familjarët e fëmijës zbritën në rrugë, ku ndodhi përplasja e parë verbale.
“Kështu nuk bëhet! Po ecja qetë dhe më hedhin gjëra nga dritarja. Ose e rregullon një avokat i mirë ose do ta rregullojmë ndryshe,” – u shpreh Nasraui para policëve.
Më pas, ai u takua me dy miq nga Mataro në Barcelonë dhe natën u kthyen në parkingun e fushës së Rokafondës, vend ku ndodhi sulmi.
Sipas dëshmive, agresorët kishin me vete një thikë mbrojtëse të palosshme dhe një gur të madh.
“Munir filloi të vraponte, ai që kishte thikën e ndoqi dhe e goditi. E shpoi dy ose tri herë në gjoks dhe në brinjë,” – ka deklaruar një dëshmitar.
Një nga miqtë e Nasrauit dëshmoi se:
“Donin ta vrisnin. Njëri prej tyre kishte thikën dhe filloi ta godiste si i tërbuar. I shkonte drejt për ta vrarë.”
Agresori kryesor u dënua në dhjetor të vitit 2024, por është liruar me kusht dhe vazhdon të mbrojë versionin e tij, duke pretenduar se ai dhe familja e tij ishin viktimat, jo sulmuesit, në konfliktin me babanë e Lamin Jamal.
Lini një Përgjigje