
Në orën 19:00 Shqipëria dhe Jordania do luajnë testin e dytë miqësor mes tyre në histori. Gjithçka në 'Air Albania' duket gati, ndërsa janë publikuar edhe pamje nga brenda dhomës së zhveshjes së Kombëtares. Ekipi ynë rikthehet tek uniforma e kuqe dhe e zezë, teksa për t'u theksuar se Jordania e ka siguruar kualifikimin në Kupën e Botës 2026.
Veç mendjes në fushë, kuqezinjtë do i kenë sytë edhe nga rezultatet e rivalëve në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës.
Takimi i sotëm kundër Jordanisë është i dyti mes këtyre skuadrave. Ishte 10 tetori i 2018, pra diçka më shumë se shtatë vite më parë kur në 'Elbasan Arena' Shqipëria dhe Jordania barazonin 0-0. Arbitër kryesor sot do jetë zvicerani Lukas Fehndrish, me ndihmësa bashkëkombasit Jonas Erni dhe Nikolas Myler. Arbitër i katërt shqiptari Juxhin Xhaja.
Shqipëria tre ditë më parë fitoi 0-1 në Serbi dhe la këta të fundit në vendin e tretë me katër pikë më pas, duke 'blinduar' në një farë mënyre vendin e dytë, ndërsa kreu mbahet nga Anglia me 15 pikë të plota pas pesë takimeve.
Lini një Përgjigje