
Kombëtarja është para ndeshjeve të shtatorit ku do të sfidojë Gjibraltarin dhe Letoninë. Ndaj këtyre të fundit do të luhet për kualifikueset e Botërorit.
Programi i kombëtares- Ditën e hënë, Kombëtarja do të nisë përgatitjet për dy ndeshjet e radhës që luan në muajin shtator. Kuqezinjtë do të grumbullohen fillimisht në Tiranë ku do të zhvillojnë edhe seancën e parë stërvitore, e më pas do të udhëtojnë në drejtim të Gjibraltarit për ndeshjen miqësore që zhvillohet në datën 4 shtator. Pas miqësores në transfertë, kuqezinjtë do të rikthehen në Tiranë ku do të nisin përgatitjet për ndeshjen zyrtare të kualifikueseve të Botërorit, që luhet ndaj Letonisë në datën 9 shtator në stadiumin “Air Albania”.
Biletat- Interesimi i tifozëve për ndeshjen e 9 shtatorit ndaj Letonisë, është ndjeshëm më i ulët. Ndryshe nga ndeshjet e tjera, ku biletat shiteshin në pak orë, këtë herë biletat kanë dalë në shitje që në datën 6 gusht, madje në sasi më të vogël për shkak të vendimit të UEFA-s për të mbyllur një sektor të stadiumit “Air Albania”. Megjithatë, biletat ende nuk janë shitur dhe bie në sy fakti se ndaj Letonisë, biletat po shiten edhe fizikisht dhe jo vetëm online siç shiteshin në ndeshjet e mëparshme.
Tifozat kuqezi- Tifogrupi më i madh i Kombëtares, “Tifozat Kuqezi” kanë konfirmuar mungesën e tyre në ndeshjen e Shqipërisë në “Air Albania”. Kjo do të jetë ndeshja e dytë radhazi në shtëpi, pa praninë e tifogrupit pas asaj ndaj Serbisë pak muauj më parë. Gjithashtu, tifogrupi i Kombëtares ka bërë edhe thirrje të vazhdueshme ndaj tifozëve të tjerë, që të bojkotojnë ndeshjen ndaj Letonisë.
Dënimi- Pas ndeshjes ndaj Serbisë, UEFA dënoi Shqipërinë me një gjobë prej 161.500 frangash si edhe mbylljen e 20% të kapacitetit të stadiumit “Air Albania”. Shkak për këtë dënim që FSHF mori, u bënë sjelljet e gabuara përfshirë koret diskriminuese, mjetet piroteknike, koret raciste apo edhe mesazhet me sfond politik. Sektorët që u mbyllën nga FSHF, janë katet e para të tribunave pas porte.
Lini një Përgjigje