
Policia financiare e Milanos ka sekuestruar 1.5 milionë euro dhe ka kërkuar arrest shtëpiak për pesë persona të përfshirë në një rrjet të paligjshëm bastesh në internet.
Një rast i ri që përfshin të paktën 12 futbollistë të Serisë A dhe sportistë të tjerë, i hetuar për lojëra në platforma të paligjshme bastesh dhe pokeri dhe për reklamimin e tyre mes futbollistëve të tjerë.
Masat e sigurimit për pesë të dyshuarit janë kërkuar nga prokurorët Paolo Filippini dhe Roberta Amadeo.
Siç raportohet nga Corriere della Sera, ata janë Tommaso De Giacomo dhe Patrick Fizzera, që besohet se janë menaxherët e platformave të paligjshme për bastet ilegale, dhe Antonio Scinoça, Antonio Parise dhe Andrea Piçini, tre administratorë të një dyqani bizhuterish në Milano që përdoret si një lloj "banke" për të menaxhuar fshehurazi llogaritë e basteve dhe borxhet e basteve.
Hetimi nisi nga telefonat celularë të dy futbollistëve, ish-lojtarit të Milanit, Sandro Tonali, i cili tani aktivizohet te Neëcastle, dhe ish-lojtarit të Juves, Nicolò Fagioli, aktualisht te Fiorentina, të cilët thuhet se kanë luajtur një rol kyç në reklamimin e faqeve.
“Nicolò Fagioli dhe Sandro Tonali, sipas Prokurorisë së Milanos, përveçse kanë vendosur baste të shumta nëpër platforma, duket se kanë vepruar, nga ana tjetër, si grumbullues bastesh, pasi kanë qenë përgjegjës për përhapjen dhe reklamimin e këtyre platformave të paligjshme, duke vepruar si ndërmjetës për hapjen ose ngarkimin e llogarive të tjera të basteve. edhe në para të gatshme, në dritën e këtij aktiviteti lehtësues, futbollisti i Newcastle dhe kolegu i tij që luan për Fiorentinën duket se janë shpërblyer nëpërmjet njohjes së bonuseve në llogaritë e tyre të lojërave ose me një ulje të borxhit të shkaktuar nga bastet.
Nga bisedat, që kanë të bëjnë me periudhën dhjetor 2021-tetor 2023, rezultoi se disa sportistë kanë vënë baste në faqe të paligjshme.
Bastet nuk viheshin për të “shitur” ndeshjet e tyre apo për të pasuruar llogaritë e tyre tashmë joproporcionale bankare, por për hobi”.
Dyqani i bizhuterive që përdoret si "bankë"
I përfshirë ishte edhe një dyqan bizhuterish në Milano, Elysium in via Pergolesi, përmes të cilit paguheshin paratë, duke pretenduar se paguanin fatura të orëve luksoze, ndërsa në fakt transfertat përdoreshin për të shlyer borxhet me drejtuesit e basteve.
Klientëve më të pasur, futbollistë e të tjerë, u dhanë shuma të mëdha kredie nga organizatorët, të cilët më pas i drejtuan në dyqanin e bizhuterive ku mund të paguanin me një transfertë bankare një Rolex "fantom", i cili megjithatë mbeti në dyqan.
Me këtë truk, kumarxhinjtë mund të shlyejnë borxhet e tyre duke simuluar një blerje dhe pa tërhequr vëmendjen.
Tre administratorët akuzohen për pastrim parash, ndërsa dy drejtuesit e platformave akuzohen për operacione të paligjshme bastesh.
Futbollistët e përfshirë
Sipas hetimeve, lojtarët nuk kanë vënë baste as për ndeshjet e tyre, as për futbollin në përgjithësi. Por platformat ilegale, si Betsport22.com, Swapbet365.eu, Vipsport360.com, Texinho.com, u përdorën për të vendosur baste në sporte të tjera ose për të luajtur poker online.
Tonali dhe Fagioli, të cilët tashmë kanë larë hesapet me drejtësinë me një skualifikim të gjatë, janë nën hetim për baste në platforma të paligjshme. Atletët e tjerë po hetohen përkundrazi për "pjesëmarrje në platforma të paligjshme, jo në baste futbolli, por në lojëra të paautorizuara nga Agjencia e Doganave dhe Monopoleve", siç është pokeri, me organizatorët që kanë ngritur "dhoma private" dhe i kanë mbyllur ato me fjalëkalime, në të cilat vetëm lojtarë të caktuar mund të kenë akses.
Sipas Corriere, mes tyre janë Alessandro Florenzi, dikur i Romës dhe tani i Milanit, Nicolò Zaniolo, dikur i Romës dhe Atalantës, tani i Fiorentinës, lojtarët e Juventusit Mattia Perin dhe Weston McKennie, argjentinasit dikur i Juve-s, Angel Di Maria dhe Leandro Parede.
Mesfushori Samuele Riçi, sulmuesi i Padovës, Cristian Buonaiuto, anësori sulmues i Parmës, Matteo Cancellieri dhe mbrojtësi dominikan, Adames Hector Junior Firpo, i cili luan për Leeds, në Angli.
Lini një Përgjigje