
Tirana është me një këmbë jashtë finales së Kupës së Shqipërisë. Bardheblutë janë mposhtur nga Kukësi me rezultatin e pastër 2-0. Në ndeshjen e parë gjysmëfinale. Verilindorët zhbllokuan ndeshjen në minutën e 20 të takimit. Një kundërsulm i shpejtë i vendasve solli golin. Solodovnikov tentoi goditjen në zonë, me topin që u devijua dhe shkoi te Mingo, që nuk e pati të vështirë të realizonte me portën bosh.
Në minutën e 59, skuadra e drejtuar nga Bledar Devolli gjeti edhe golin e qetësisë. Solodovnikov përfitoi nga një përgjumje e mbrojtjes bardheblu dhe dërgoi topin në rrjetë.
Në ndeshjen tjetër gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, Egnatia ka mundur me rezultatin minimal 1-0 Vllazninë. Shkodranët e kanë mbyllur si mos më keq këtë ndeshje të parë, pasi mbetën me 9 lojtarë.
Goli i vetëm i kësaj ndeshjeje erdhi në minutën e 30. Fernano mori një top të mirë jashtë zonës dhe me të djathtën lëshoi predhën drejt portës së miqve. Braziliani mposhti me “samba” portierin Qarri.
Në minutën e 36, Vllaznia mbeti me 10 lojtarë. Stojanoviç ndërhyri ndaj Zejnullahit dhe ky i fundit u rrëzua në fushë. Pati protesta nga rrogozhinasit dhe Jorgji shkoi në VAR. Pas rishikimit, ai ndëshkoi me kartonin e kuq futbollistin e Vllaznisë duke lënë shkodranët me 10 lojtarë.
Në minutën e 80, Jorgji ndëshkoi me kartonin e kuq edhe Esin Hakaj, pasi ky i fundit ndërhyri me takë kundër Fangajt.
Ndeshjet e kthimit gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë do të luhen më 24 prill.
Lini një Përgjigje