TAGS-AT E JAVËS

Sport13 Tetor 2023, 17:07

Thellohet skandali i futbollistëve bastexhinj në Itali, pas Tonalit dhe Zaniolos një tjetër futbollist nën hetim

Shkruar nga Pamfleti

Thellohet skandali i futbollistëve bastexhinj në Itali, pas Tonalit

Nuk është vetëm mesfushori i Juventusit, Nikolo Faxhioli, në lupën e drejtësisë italiane, si i përfshirë në skandalin e basteve.

Gazetari i njohur italian, Fabricio Korona, ka tronditur Coverciano-n, teksa përmendi emrat e dy yjeve të kombëtares italiane, Sandro Tonali dhe Nikolo Zaniolo si të dyshuar për vënien e basteve në platforma të paligjshme, diçka e ndaluar nga neni 24 i Kodit të Drejtësisë Sportive.

Prokuroria e Torinos ka marrë masa duke thirrur në Milano ish-mbretin e paparacëve si person i informuar mbi faktet.

Prokurorët i njihnin tashmë lojtarët e përfshirë për shkak se kishin gjetur biseda specifike në pajisjet e sekuestruara nga Faxhioli në gusht.

Për këtë arsye, ata kanë kryer një ndërhyrje blitz në Koverçiano për të dhënë njoftimin e hetimit dhe sekuestrimin e celularëve dhe tabletave si provë elementesh, por dhe për të zbuluar ndonjë lidhje me “bastexhinjtë” e tjerë brenda kampit të “Axurrëve”.

Ideja ishte të pritej që emrat të zbuloheshin pas ndeshjes kundër Maltës (edhe sepse Tonali dhe Zaniolo luajnë në Angli dhe kjo ishte mundësia për të folur me ta së bashku në Itali), por zbulimet e gazetarit Korona e përshpejtuan procesin.

Dje Korona u dëgjua nga prokurorët për rreth 45 minuta dhe më pas shpalli të vërteta pikante për botën e futbollit.

Në fund ai nuk bëri asnjë deklaratë, por zgjodhi të shprehej në rrjetet sociale: “Një informator më zbuloi se Zaniolo kishte vënë bast për ndeshjen e Romës në Kupën e Italisë kur ishte në stol. Më janë dhënë të dhëna nga burime të besueshme të cilat do t’i zbuloj sa më shpejt të jetë e mundur”.

Paparaci i njohur, pasi ka folur për Faxholin, Tonalin dhe Zaniolon, sot nëpërmjet faqes së tij në internet ka zbuluar identitetin e një futbollisti të katërt.

Portali “Dillinger News” ka bërë të ditur se emri i katërt për të cilin do fillojë hetim nga policia italiane është ai i Nikola Zalevskit, futbollistit polak të Romës, i cili gjithashtu është mes atyre që frekuentojnë rregullisht faqet e paligjshme të basteve duke vendosur shuma të rëndësishme.

Ndërkohë, është bërë e ditur se së shpejti do të publikohen edhe emra të tjerë, pasi lista është shumë e gjatë dhe sigurisht, nuk përfshin vetëm futbollistë, por edhe njerëz të tjerë të njohur në Itali.

Tonali, i cili luan për Njukasëllin dhe Zaniolo i transferuar tek Aston Vila këtë merkato vere, janë larguar nga kampi stërvitor i Italisë, pasi u tha se janë vendosur nën hetim nga prokurorët italianë.

Federata Italiane e Futbollit (FIGC) tha se lojtarët nuk ishin në “kushtet” e duhura për të marrë pjesë në dy ndeshjet e ardhshme kualifikuese të Italisë për “EURO 2024”. FIGC nuk ka specifikuar se me çfarë ka të bëjë hetimi, por mediat në Itali janë të bindura se përjashtimi i dy futbollistëve të talentuar lidhet me hetimin për bastet e paligjshme.

 

federata italiane e futbollit fabricio korona niko zaniolo sandro tonali

Lini një Përgjigje