
Shqipëria arriti një fitore spektakolare përballë Çekisë në ndeshjen e luajtur mbrëmjen e djeshme në Air Albania. Nga tre gola të shënuar, golin e parë e shënoi në minutën e ‘9 Jasir Asani.
Kur i kanë mbetur dhe dy ndeshje për të luajtur kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe Shqipëria është shumë pranë kualifikimit në Euro 2024. Seferi i dhuroi kombëtares dy gola një në minutën e ’51 dhe tjetrin në minutën e ’73.
Një pjesë e rëndësishme e superndeshjes ishin tifozët e zjarrtë, që krijuan atmosferë fantastike në 90 minuta lojë e më tej gjithë natën duke festuar nëpër rrugët e Tiranës
Besmir Limani, një nga tifozët më të zjarrtë të kombëtares tregoi në emisionin GoodMorning Albanians se kjo ishte hera e dyzetë që shkonte në stadium me shqiponjën të vizatuar në fytyrë.
“Kjo ka qenë ndeshja e 40 që kam shkuar në stadium me të njëjtën shqiponjë, me të njëjtën fanelë. Kur shkoj në stadium kam shqiptarin nga Dardania, shqiptarin nga Tuzi, vij për Shqipërinë time. Kam lindur në Strugë dhe 10 vjeç kam emigruar në Zvicër. Mundohem me të gjitha mundësitë, lë anash shumë gjëra të tjera, familja duhet të ma bëjë pak hallall se edhe ata i lë pak pas dore, edhe në çështje financiare, se të jem i sinqertë kostoja është e madhe. Dje pata tre gëzime; kisha ditëlindjen; mora konfirmimin për nënshtetësinë shqiptare dhe e treta fitorja, që ishte një dhuratë shumë e bukur për ditëlindje”, tha tifozi.
Lini një Përgjigje