TAGS-AT E JAVËS

Sport24 Maj 2023, 21:41

Të gjithë në këmbë për Vinisius, magjia e Rodrigos i dhuron fitoren Realit ndaj skuadrës së Ivan Balliut

Shkruar nga Pamfleti

Të gjithë në këmbë për Vinisius, magjia e Rodrigos

Reali i Madridit është kthyer te fitorja në kampionat, pasi ka mundur me rezultatin 2-1 Rajo Vajekanon, në javën e 36 të kampionatit. Një fitore që i dha mundësinë ekipit të Ançelotit të ngjitet përkohësisht në vendin e dytë të renditjes.

Vinisius Zhunior, i cili ka marrë shumë fyerje dhe ofendime raciste në ndeshjen e kaluar të luajtur në Mestaja kundër Valencias nuk ishte në dispozicion të skuadrës sot për shkak dëmtimi, por shokët e ekipit treguan solidaritet dhe vendosën të zbrisnin në fushë para fillimit të ndeshjes të gjithë duke mbajtur veshur fanelën me emrin dhe numrin e Vinisius.

Mbështetja ndaj sulmuesit brazilian vazhdoi në minutën e 20 (numri i tij i fanelës), kur i gjithë stadiumi u çua në këmbë për ta duartrokitur lojtarin që ndodhej në tribunë.

Për sa i takon ndeshjes, 45 minutat e para u mbyllën me rezultatin 1-0 në favor të Realit. Skuadra e Karlo Ançelotit zhbllokoi takimin në minutën e 31 me një gol të Karim Beznema.

Sulmuesi francez ka shënuar 30 ose më shumë gola në të gjitha kompeticionet në secilin prej tre sezoneve të fundit me Realin e Madridit, pasi kishte arritur ta bënte një gjë të tillë vetëm dy herë në 11 sezonet e mëparshme me madrilenët (32 në sezonin 2011-2012 dhe 30 në sezonin 2018-2019).

Befasia për Realin erdhi në minutën e 84 kur De Tomas arriti të barazonte ndeshjen me një goditje të saktë dhe të fortë brenda zonës së rreptësisë.

Megjithatë, festa e miqve zgjati pak, pasi Rodrigo ktheu në avantazh vendasit dhe i dhuroi fitoren skuadrës së tij me një gol shumë të bukur në minutën e 89.

reali i madridit rajo vajekano la liga

Lini një Përgjigje