
Nuk pati fitues në supersfidën e javës së 20-të të Serie A mes Interit dhe Napolit, me dy skuadrat që ndanë pikët në një barazim spektakolar 2-2 në stadiumin “San Siro”.
Sfida nisi në mënyrën më të mirë për vendasit, të cilët kaluan shpejt në avantazh në minutën e 9-të me Federico Dimarcon, duke ndezur entuziazmin e tifozëve zikaltër. Megjithatë, Napoli reagoi dhe në minutën e 26-të Scott McTominay riktheu baraspeshën, duke mbyllur pjesën e parë në shifra të barabarta.
Në fraksionin e dytë, Interi shtoi presionin dhe në minutën e 73-të Hakan Çalhanoğlu realizoi për zikaltrit nga pika e bardhë e penalltisë, duke kaluar sërish vendasit në avantazh. Vetëm dy minuta më herët, trajneri i Napolit, Antonio Conte, ishte ndëshkuar me karton të kuq për protesta ndaj arbitrimit.
Pavarësisht kësaj, Napoli nuk u dorëzua dhe ishte sërish McTominay ai që doli në skenë në minutën e 81-të, duke shënuar golin e dytë personal dhe të barazimit për napolitanët, gol që i mohoi Interit shkëputjen në krye të renditjes.
Pas këtij barazimi, Interi ruan vendin e parë në Serie A me 43 pikë, tre më shumë se Milani i vendit të dytë dhe katër pikë avantazh ndaj Napolit që mban vendin e tretë.
Lini një Përgjigje