
Kombëtarja shqiptare e futbollit njohu mbrëmjen e sotme kundërshtarët për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve. Shorti i hedhur në Bruksel e pozicionoi Shqipërinë në Grupin C1, së bashku me Bjellorusinë, Finlandën dhe San Marinon.
Megjithatë, përfaqësuesja kuqezi mbetet e përqendruar tek objektivi më i afërt dhe me peshë më të madhe sportive: ndeshjet “play-off” të Botërorit 2026, që do të zhvillohen në muajin mars.
Në një prononcim për faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit (fshf.org), trajneri i Kombëtares, Silvinjo, theksoi rëndësinë e momentit aktual dhe fokusin e skuadrës.
“Është gjithmonë një kompeticion shumë i vështirë, shumë i bukur. Luhet në një mënyrë shumë të shpejtë, zgjat praktikisht dy-tre muaj. Këtë herë bëhet në dy muaj. Gjithçka luhet shumë shpejt, është një kompeticion i bukur. Kemi parë këtu shumë skuadra të forta,” – u shpreh tekniku kuqezi.
Ai nënvizoi se, pavarësisht shortit, mendja e ekipit është e përqendruar te sfidat vendimtare për kualifikimin në Botërorin 2026.
“Për ne nuk është e lehtë të mendojmë edhe për Ligën e Kombeve, sepse prej rreth një muaji e gjysmë po punojmë për play-off-et. Është një gjë shumë e rëndësishme për të gjithë ne, si federatë dhe si vend. Tani presim që të vijë momenti i duhur. Një grup gjithmonë shumë i vështirë, por në këtë moment e kemi mendjen te play-off-i i marsit,” – deklaroi Silvinjo për fshf.org.
Kështu, ndërsa shorti ka përcaktuar rrugëtimin e Shqipërisë në Ligën e Kombeve, përfaqësuesja shqiptare synon të përqendrojë energjitë dhe përgatitjet te përballjet e marsit, të cilat konsiderohen kyçe për objektivin madhor të kualifikimit në Kupën e Botës 2026.
Lini një Përgjigje