
Anglia mori fitoren e katërt radhazi në kualifikueset e Botërorit 2026, teksa udhëheq grupin K me 12 pikë të plota.
“3 Luanët” fituan 2-0 ndaj Andorrës në ndeshjen e luajtur në “Villa Park”, në Birmingam. Pavarësisht fitores, perfomanca e të besuarve të Tomas Tuhel nuk ishte dhe aq mbresëlënëse, gjë që u kuptua edhe nga vërshëllimat e tifozëve herë pas here në drejtim të lojtarëve të tyre.
Në minutën e 25, një krosim i Noni Madueke u devijua me kokë nga mbrojtësi i Andorrës, Kristian Garsia dhe përfundoi në rrjetë. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për anglezët. Në minutën e 66, Anglia dyfishoi shifrat me Deklan Rajs, i cili shënoi me kokë pas krosimit perfekt nga Ris Xhejms.
Në vendin e dytë renditet Serbia e cila në 3 ndeshje ka grumbulluar 7 pikë, 2 fitore dhe barazim me Shqipërinë.
Serbia fitoi në transfertë 0-1 ndaj Letonisë, me golin e Dushan Vlahoviç në fillim të pjesës së parë. Në minutat shtesë, Letonia iu afrua golit të brazimit, por topi për fatin e sërbëve u ndal nga shtylla.
Shqipëria ishte pushim sot, kuqezinjtë do të luajnë të martën ndaj Letonisë në “Air Albania”. Serbia do të presë Anglinë në Beograd, ndërsa Andorra do jetë pushim.
Letonia është vendosur në vendin e 4, ndërsa Andorra nuk ka marrë asnjë pikë në 5 ndeshje, teksa praktikisht është më një këmbë jashtë Botërorit.
Situata në Grupin K është si më poshtë:
1. Anglia 12 pikë, 4 ndeshje
2. Serbia 7 pikë, 3 ndeshje
3. Shqipëria 5 pikë, 4 ndeshje
4. Letonia 4 pikë, 4 ndeshje
5. Andorra 0 pikë, 5 ndeshje

Bëjmë me dije që të martën në orën 20:45 luhet supersfida Serbi-Angli dhe në po të njëjtën orë Shqipëria do të presë Letoninë, ku na duhet me patjetër fitorja.
Lini një Përgjigje