
Anglia ka fituar 2-0 ndaj Andorrës në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, e luajtur në “Villa Park”, në Birmingam. Pavarësisht fitores, perfomanca e të besuarve të Tomas Tuhel nuk ishte dhe aq mbresëlënëse, gjë që u kuptua edhe nga vërshëllimat e tifozëve herë pas here në drejtim të lojtarëve të tyre.
Në minutën e 25, një krosim i Noni Madueke u devijua me kokë nga mbrojtësi i Andorrës, Kristian Garsia dhe përfundoi në rrjetë. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për anglezët. Në minutën e 66, Anglia dyfishoi shifrat me Deklan Rajs, i cili shënoi me kokë pas krosimit perfekt nga Ris Xhejms.
Më herët, po në këtë grup Serbia fitoi në transfertë 0-1 ndaj Letonisë, me golin e Dushan Vlahoviç në fillim të pjesës së parë. Në minutat shtesë, Letonia iu afrua golit të brazimit, por topi për fatin e sërbëve u ndal nga shtylla.
Shqipëria ishte pushim sot, kuqezinjtë do të luajnë të martën ndaj Letonisë në “Air Albania”. Serbia do të presë Anglinë në Beograd, ndërsa Andorra do jetë pushim. Situata në Grupin K është si më poshtë:
1. Anglia 12 pikë, 4 ndeshje
2. Serbia 7 pikë, 3 ndeshje
3. Shqipëria 5 pikë, 4 ndeshje
4. Letonia 4 pikë, 4 ndeshje
5. Andorra 0 pikë, 5 ndeshje
Nga ana tjetër Portugali triumfoi bindshëm në transfertë me Armeninë. Luzitanët fituan me shifrat e thella 5-0.
Në minutën e 9, Zhoao Kançelo bëri vetë gjithçka bukur në fundore dhe krosoi në zonë, aty ku Zhoao Feliks dërgoi me kokë topin në rrjetë. Në minutën e 20, ishte radha e Kristiano Ronaldos për të dyfishuar shifrat, pas asistit perfekt në zonë nga Pedro Neto. Në minutën e 32 ishte Zhoao Kançelo i cili gjeti golin e tretë, pas një goditjeje të fuqishme brenda zonës. Kançelo e festoi golin njësoj siç bënte i ndjeri Diogo Zhota.
Në fillimin e pjesës së dytë, Kristiano Ronaldo shënoi golin e dytë personal në këtë takim, me një goditje të bukur nga distanca. Zhoao Feliks në minutën e 60 shënoi edhe ai dopietë, duke i çuar shifrat në 0-5. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Irlanda pret Hungarinë, sfida nis në orën 20:45.
Lini një Përgjigje