Roma vijon të lërë pikë “rrugës”, teksa ka dështuar të fitojë përballë Genoas në Seria A, duke u kënaqur vetëm me një barazim, njëjtë si një javë më parë.
Pavarësisht dominimit të lojës në letër, Roma nuk arriti të bënte më shumë se një barazim 1-1 në transfertë përballë Genoa, duke konfirmuar dhe një herë krizën e thellë të rezultateve për klubin kryeqytetas këtë sezon.
Pavarësisht se Roma mbajti avantazhin e një goli të shënuar në minutën e 37-të nga Dovbyk deri në minutën e 95-të, nuk arriti t’i marrë 3-pikët, pasi Genoa do të shënonte në limite me anë të De Winter në të 96-ën.
Në vetëm 4 ndeshje, Roma ka arritur të sigurojë 3 pikë të ardhura nga barazimet. Aktualisht Roma renditet në vendin e 15-të me vetëm 3 pikë. Ndërsa Genoa nga ana tjetër renditet në vendin e 10-të me 5 pikë.
Në barazim 0-0 u mbyll edhe ndeshja mes Torinos dhe Lecces, me të dyja skuadrat që ndanë nga një pikë në këtë javë të katërt të kampionatit italian. Torino humbi mundësinë për t’i marrë kreun e tabelës Juventusit i cili ndodhet në vendin e parë me 8 pikë po aq sa Torino. Ndërkohë që Lecce ndodhet në vendin e 13-të me 4 pikë.
Në ndeshjen tjetër të Seria A, Atalanta triumfoi në shtëpi me rezultatin 3-2 përballë Fiorentinës. Fillimisht ishin miqtë të cilët kaluan të parët në avantazh me golin e Martinez Quarta, i cili shënoi në minutën e 15-të. Por përgjigja e Atalantës nuk do të vononte pasi në minutën e 21-të do të barazonte me anë të Reteguit.
Por ky nuk do të ishte momenti i vetëm kur Atalanta e gjeti veten në disavantazh, pasi në minutën e 32-të, Fiorentina shënoi golin e dytë me anë të Kean i cili vulosi shifrat 1-2. Pavarësisht kësaj, Atalanta tregoi karakter dhe arriti ta kthente ndeshjen në fund të pjesës së parë duke shënuar dy herë. Fillimisht do të barazonte me anë të De Ketelaere në minutën e 45-të dhe një minutë më vonë do të kalonte në avantazh me anë të Lookman i cili vulosi shifrat 3-2.
Pjesa e dytë nuk do të rezervonte surpriza me Atalantën e cila mbrojti rezultatin dhe siguroi 3 pikë të vyera. Me këtë fitore Atalanta ndodhet në vendin e 8-të me 6 pikë, ndërsa Fiorentina në vendin e 14-të me 3 pikë.
Lini një Përgjigje