TAGS-AT E JAVËS

Sport17 Shkurt 2026, 19:13

“S’do të ishte keq”, Elsieid Hysaj ua bën ‘zemrën mal’ tifozëve shkodranë; mbrojtësi kuqezi mbyll karrierën me Vllazninë?

Shkruar nga Pamfleti

“S’do të ishte keq”, Elsieid Hysaj ua bën

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, ishte i pranishëm në stadiumin “Loro Boriçi” për të ndjekur nga afër ndeshjen mes Vllaznisë dhe Elbasanit, e përfunduar me rezultatin 2-1, në kuadër të 107-vjetorit të themelimit të klubit shkodran.

I konsideruar si “rekordmeni” i Kombëtares për nga numri i paraqitjeve, Hysaj ka lidhje të forta me Vllazninë dhe qytetin e Shkodrës, pasi është vetë me origjinë nga ky qytet. Prania e tij në stadium u prit me interes nga tifozët kuqeblu, në një mbrëmje festive për klubin.

Pas përfundimit të takimit, futbollisti foli për mediat, duke theksuar se e ndjek futbollin shqiptar kryesisht për kënaqësi. Ai u shpreh se dëshiron ta shohë Vllazninë sërish kampione, për t’i sjellë gëzim qytetit të Shkodrës.

E ndjek pak futbollin shqiptar, më shumë për kënaqësi. Shpresoj që Vllaznia të fitojë një kampionat dhe t’i sjellë gëzimin këtij qyteti. Shkodra është një ndër qytetet më të zjarrta”, deklaroi Hysaj.

I pyetur për të ardhmen dhe vendin ku mund ta mbyllë karrierën, mbrojtësi la gjithçka të hapur. Ai përmendi Empolin si klubin ku ka nisur rrugëtimin profesional, por nuk përjashtoi as një rikthim të mundshëm në Shkodër.

Nuk e kam menduar akoma se ku mund ta mbyll karrierën. Ndoshta kam qejf të kthehem edhe tek Empoli, pasi aty kam filluar karrierën. Vllaznia? S’do ishte keq. Varet se si mund të jetë Vllaznia ose çfarë gjërash mund të ketë bërë deri atëherë klubi shkodran”, u shpreh ai.

Deklaratat e Hysajt lënë të hapur mundësinë e një rikthimi të mundshëm në futbollin shqiptar në të ardhmen, megjithëse vetë lojtari theksoi se aktualisht nuk ka marrë një vendim përfundimtar për fazën e fundit të karrierës së tij.

elseid hysaj mbrojtësi i kombëtares vllaznia

Lini një Përgjigje