TAGS-AT E JAVËS

Sport 6 Korrik 2026, 08:00

Përballja me Spanjën, Ronaldo: I rëndësishëm kualifikimi, s'jam nën presion për fitimin e trofeut

Shkruar nga Pamfleti
Përballja me Spanjën, Ronaldo: I rëndësishëm
Cristiano Ronaldo

Kapiteni i Portugalisë konfirmon se Kupa e Botës 2026 do të jetë e fundit në karrierën e tij ndërkombëtare. Ai thotë se nuk ndien se i mungon ndonjë arritje, edhe nëse nuk fiton trofeun e vetëm që nuk e ka në koleksion...

Cristiano Ronaldo ka konfirmuar se Kupa e Botës 2026 do të jetë e fundit në karrierën e tij me kombëtaren e Portugalisë. Një ditë para ndeshjes që mund të jetë e fundit e tij në një Botëror, sulmuesi 41-vjeçar pranoi për herë të parë publikisht se ky është kapitulli i fundit i rrugëtimit të tij në kompeticionin më të madh të futbollit.

"Ky do të jetë Botërori im i fundit. Me ndihmën e Zotit, shpresoj që nesër të mos jetë ndeshja ime e fundit", deklaroi Ronaldo.

Pas 23 vitesh me fanellën e Portugalisë, ai ka zhvilluar 232 ndeshje, ka shënuar 146 gola dhe është bërë futbollisti i parë që ka marrë pjesë në gjashtë Kupa të Botës. Megjithatë, trofeu i Botërorit mbetet i vetmi sukses madhor që mungon në karrierën e tij.

Ronaldo tha se kjo nuk e ndryshon mënyrën se si e vlerëson rrugëtimin e tij. "Nuk më mungon asgjë. Zoti ka qenë bujar me mua. Nuk do të jem as më shumë dhe as më pak Cristiano nëse fitoj apo jo Kupën e Botës", tha portugezi.

Ai kujtoi se debutoi me Portugalinë në vitin 2003 kundër Kazakistanit në stadiumin e Chavesit, përpara rreth 8 mijë tifozëve, kur hyri në lojë në vend të Luís Figos. Ndeshja e fundit mund të zhvillohet kundër Spanjës në stadiumin e Dallasit në Arlington, përpara rreth 80 mijë spektatorëve. Nëse Portugalia eliminohet në fazën e 1/8-ve, rrugëtimi i tij në Botëror do të përfundojë.

Konferenca për shtyp para sfidës u kthye në një moment reflektimi për kapitenin portugez. Duke folur në tre gjuhë, ai alternoi batutat me përgjigje serioze dhe nuk shmangu pyetjet për fundin e karrierës.

"Nga ju dëgjoj gjithmonë të njëjtën pyetje: a është ky Botërori i fundit? Do ta shohim. Nuk dua ta kthej këtë në qendër të vëmendjes. Më e rëndësishmja është që Portugalia të kualifikohet", tha ylli portugez.

Megjithatë, pak më vonë ai e bëri të qartë vendimin e tij. Ronaldo pranoi se koha ka ardhur dhe se nuk ka arsye të fshehë realitetin.

"Do të vijë dita. Por, sinqerisht, çfarëdo që të ndodhë nesër, do të largohem me ndërgjegje të pastër. Jo 100 për qind, por 1.000 për qind, sepse i kam dhënë futbollit gjithçka", sqaroi ai.

Ai shtoi se vazhdon të luajë vetëm për pasion.

"Nuk kam nevojë për futbollin për të jetuar. Jetoj shumë mirë, por futbolli është pasioni im. Luaj sepse e dua këtë sport. Nuk mund t'i vendos vetes presion duke thënë se kemi detyrim ta fitojmë Kupën e Botës. Çfarëdo që të ndodhë, do të ndodhë. Duhet ta shijosh çdo ditë. Deri tani kam shënuar tre gola në këtë turne dhe nuk po ia dal edhe aq keq, apo jo?", u shpreh CR7.

Ronaldo foli edhe për kritikat që e kanë shoqëruar gjatë gjithë karrierës.

"Prej 23 vitesh janë përpjekur të më 'vrasin'. Nuk ka kuptim t'u kushtosh shumë rëndësi këtyre gjërave. Është pjesë e këtij sporti", tha ai.

Sipas tij, mbështetja e tifozëve portugezë nuk ka munguar asnjëherë. "Njerëzit në Portugali kanë besim tek unë dhe tek skuadra. Ata nuk na kanë braktisur kurrë. Të gjitha të tjerat janë marrëzi dhe nuk kanë asnjë rëndësi", u shpreh kapiteni portugez, ndërsa theksoi se kritikat kanë ndikuar në formimin e tij.

"Mosha të jep pjekuri dhe përvojë. Jam mirënjohës edhe për sulmet që kam marrë gjatë këtyre viteve. Pikërisht kështu rritesh si njeri. Më kanë bërë më të fortë dhe, po, falënderoj edhe gazetarët për këtë, sepse më kanë ndihmuar të rritem", shtoi Ronaldo.

Në fund, portugezi përsëriti se dëshiron ta shijojë çdo moment të mbetur në karrierën e tij ndërkombëtare.

"Duhet ta jetosh çdo ditë sikur të ishte Botërori i fundit, sepse për mua është i tillë. Shpresoj shumë që nesër të mos jetë dita ime e fundit. Shpresoj vërtet. Pastaj mund të vazhdoni të përpiqeni të më 'vrisni' edhe pak", u shpreh ai.

 

ronaldo portugalia cr7

Lini një Përgjigje