
Kaos në gjigandin e transmetimeve televizive, rrjetin britanik BBC, i cili është vënë në epiqendër të kritikave pas pezullimit të Geri Lineker. Vendimi për të pezulluar Lineker, pasi kishte kritikuar politikat kundër emigracionit të qeverisë së Rishi Sunak, ka rezultuar një autogol me kuptimin e plotë të fjalës, pasi opinioni sportiv dhe ai publik tashmë kërkon largimin e drejtuesve të cilët akuzohen se janë të ndikuar politikisht.
BBC vendosi të pezullonte Lineker pasi ai kishte shkruar në një status në Tëitter, ku është shumë aktiv edhe për tema përtej sportit, rreth idesë së qeverisë angleze për të ndaluar përjetësisht të gjithë personat që hynin ilegalisht në vend nga kërkesa e azilit. “Një politike jashtë mase mizore ndaj njerëzve më vulnerabël me një gjuhë jo edhe aq të ndryshme nga ajo e përdorur nga Gjermania në vitet ‘30”, ishte ajo që shkoi Lineker dhe që solli pezullimin e tij nga drejtimi i emisionit popullor “Match of the Day” rreth ndeshjeve të kampionatit.
Vendimi i BBC është pritur me revoltë duke filluar nga stafi e gazetarët apo opinionistët që kanë bojkotuar emisionet. Ian Rajt dhe Alan Shirer vendosën që të bojkotonin emisionin e sotëm në darkë, i cili do të ketë vetëm kronika ndeshjesh, pa koment në studio. Rajt u shpreh se ishte i gatshëm të braktiste BBC nëse ata largonin përfundimisht Lineker.
Por edhe emisionet më të njohur radiofonike të BBC u desh të anuloheshin sot. Prezantuesja Aleks Skot u tërhoq, ashtu si edhe Xhezon Mohamed, me tre programe sportive të ndeshjeve të pasdites që u anuluan plotësisht. Xhërmen Defo dhe Dion Dablin gjithashtu thanë se nuk do të ishin në emisionin “Match of the Day 2” të të dielës. Glen Marrei iu bashkua bojkotit në emisionet radiofonike të BBC rreth futbollit.
Skuadrat e futbollit deklaruan se nuk do të jepnin intervista për BBC, duke filluar nga Bristol Rovers dhe Forest Grin. Duke u frikësuar për reagime para kamerave të lojtarëve apo trajnerëve të Premier Ligës, BBC vendosi të mos u merrte intervista atyre, duke shkurtuar kështu shërbimet rreth futbollit si asnjëherë më parë në histori.
Situata ka bërë që tashmë opionini publik të kërkojë largimin e drejtuesve që morën vendimin rreth Lineker, si dhe rikthimin e tij të plotë në detyrë, pa asnjë lloj kufizimi të shprehjes së lirë të tij.
Lini një Përgjigje