
“Qava sepse Shqipëria humbi, por do të fitojmë së shpejti,”-shprehej në tetor të vitit 2021 Amar Hasani.
Kanë kaluar pothuajse dy vite që kur lotët e Amar Hasanit në “Air Albania” prekën këdo që e pa. Në atë kohë 7-vjeçari e përjetoi shumë humbjen me Poloninë, që e la kombëtaren përfundimisht jashtë Botërorit të Katarit.
Mirëpo ato ndjenja të dielën ndryshuan plotësisht. Kuqezinjtë u hakmorën duke fituar 2-0 dhe tani janë me një këmbë në Evropianin e Gjermanisë. Sigurisht që 9-vjeçari nuk mungoi në stadiumin kombëtar, duke përjetuar sërish një emocion të fortë.
“Kam dy vite që e pres ndeshjen Shqipëri-Poloni. Fitorja 2-0 më gëzoi shumë saqë ende vazhdoj të festoj”, -tha Amar Hasani, tifozi i vogël i kombëtares.
Për “Report TV”, tifozi i vogël kuqezi, nuk nguron t’i dërgojë një mesazh të ngrohtë atyre të cilët e gëzuan pamasë.
“Unë i përshëndes të gjithë lojtarët dhe u them ‘Forca djema, faleminderit që m’i kthyet lotët në gëzim’. Iu dua shumë të gjithëve,”-deklaroi Amar Hasani, tifozi i vogël i kombëtares.
Amari udhëton prej 2-vitesh në çdo ndeshje të kombëtares nga Lugina e Preshevës në Tiranë. Tashmë po bëhet gati edhe për “Gjermani 2024”.
“Unë besoj se do shkojmë në Europian. Do t’i shoh ndeshjet atje bashkë me babain tim,”-u shpreh Amar Hasani, tifozi i vogël i kombëtares.
Ëndrra e Amarit është që një ditë të bëhet futbollist dhe ta ndihmojë kombëtaren të arrijë objektiva të mëdha.
Lini një Përgjigje