
Një nga mungesat e mëdha prej muajsh në listat e Kombëtares shqiptare është Arbnor Muja. Futbollisti ishte pjesë e kualifikuesve të “EURO 2024”, por pastaj me kalimin nga Antverpen te Samsunspori në kampionatin turk, kaloi në plan të dytë për Silvinjon dhe nuk u ftua më nga ky i fundit, duke mbetur jashtë listës për Europianin.
Megjithatë, këtë sezon të ri, duket se Muja e ka nisur me këmbën e mbarë dhe në ndeshjen e fundit të tij me skuadrën turke përballë Hatajaspor, ai ishte i pandalshëm me driblimet e tij në krahë, teksa shënoi gol dhe asist në fitoren 3-0.
Ndaj nuk ishte aspak rastësi që Muja është zgjedhur në formacionin e javës për Superligën Turke nga “SOFASCORE”, duke u rreshtuar përkrah disa prej yjeve më të njohur të këtij kampionati, në bazë të paraqitjeve statistikore të lojtarëve për atë që kanë dhuruar në fushën e lojës në javën e katërt.

Lini një Përgjigje