
Ditën e shtunë në orën 20:00, 2 klubet legjendare shqiptare do të përballen për herë të parë këtë sezon në duelin e vlefshëm për javën e 6 të Superiores, që do të luhet në “Air Albania”.
Klubet kanë nisur sot përgatitjet, por të njëjtën gjë po bëjnë edhe tifozëritë përkatëse që janë gati të dhurojnë spektakël në tribuna.
Të gjithë janë në pritje të nxjerrjes në shitje të biletave dhe klubi i Partizanit, si pritëse, ka dhënë më në fund dritën jeshile.
Biletat pas porte do të kushtojnë 500 lekë, ndërsa ‘karshia’ fillon nga 1000 deri në 1500 lekë. Tribuna VIP është e ndarë me 3000, 4000 deri në 5000 lekë.
Skuadra e Aleksandër Veselinoviç vjen në këtë përballje pas dy barazimeve radhazi, ndërsa nga krahu tjetër të besuarit e Bledi Shkëmbit vijnë pas 5 barazimesh.
Statistika këto që tregojnë se kjo përballje do të jetë një “luftë” e vërtetë mes dy skuadrave. Ndërkohë nëse hedhim një sy nga duelet e së kaluarës vëmë re se Partizani prej 2 vitesh është i pamposhtur në derbi.
Në 7 përballjet e fundit mes tyre të kuqtë ia kanë dalë të triumfojnë në 5 derbi, ndërsa 2 prej tyre kanë përfunduar në barazim. Ndërkohë humbja e fundit në derbi ndaj Tiranës është më 2 tetor 2022. Në atë takim bardheblutë triumfonin 2-0 ndaj të kuqve, ku Redon Xhixha realizoi dopietë.
Lini një Përgjigje