
Përfundon ndeshja e parë e turit të parë kualifikues në Champions League. Partizani ka mundur pothuajse gjatë gjithë 90 minutëshit BATE Borisov, por pa arritur të dilte me fitore nga “Air Albania”.
Të kuqtë nuk kanë shkuar më shumë se barazimi 1-1. Bjellorusët zhbllokuan ndeshjen në minutën e 58. Pas një harkimi nga e djathta, Qirko ndali gjuajtjen e Malkeviç me kokë, por pastaj Antilevski dërgoi topin në rrjetë.
10 minuta më vonë, Partizani barazoi shifrat. Pas një goditje nga këndi, topi shkoi te Murataj, i cili e dërgoi te Cara, me këtë të fundit që tundi rrjetën.
Në minutën e 75, “Demat” patën shansin e artë për të përmbysur shifrat. Murataj tentoi me një goditje spektakolare, por u ndal nga shtylla që i mohoi golin e fitores.
Kujtojmë se pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura.
Në minutën e 4, vendasit provuan me Carën, por ky i fundit nuk ia doli të godiste, me portierin e skuadrës bjelloruse që kontrolloi topin! 4 minuta më vonë, ishte sërish Cara që provoi, por goditja e tij ishte qendrore.
Në minutën e 15, Rrapaj tentoi nga distanca, por nuk gjeti kuadratin e mbrojtur nga Kudravets. 2 minuta më pas, Artem Kontsevoj flirtoi me golin. Futbollisti bjellorus nuk gjuajti mirë nga një pozicion i vështirë, shumë afër portës.
Në minutën e 20, Murataj iu afrua golit me një predhë, por gjuajtja e mesfushorit shkoi shumë afër shtyllës.
Në minutën e 30, Partizani u shfaq në sulm, por Da Silva nuk u koordinua mirë me kokë.
Në ndeshjen e kthimit që do të luhet javën e ardhshme, Partizani do të tentojë me çdo kusht fitoren për t'u kualifikuar në raundin e dytë kualifikues të Champions League.
Lini një Përgjigje