
Fabio Paratiçi është i zgjedhuri i Milanit për rolin e drejtorit sportiv, me marrëveshjen që duket e mbyllur dhe mungon vetëm zyrtarizimi.
Detyra e parë e tij te kuqezinjtë do të jetë zgjedhja e trajnerit. Favorit për momentin është Roberto De Zerbi, trajneri aktual i Marsejës dhe një tifoz i madh i Milanit, me të cilët ka edhe një të shkuar.
Tekniku italian u përfol edhe verën e kaluar për stolin, por në atë kohë te Milani zgjodhën Fonsekën. Vera e ardhshme mund të jetë e duhura për t’u ulur në stolin e “Djallit”. Sipas raportimeve nga Italia, kanë nisur kontaktet e para të Paratiçit me përfaqësuesit e De Zerbit.
Megjithatë ëndrra e madhe te Milani është Pep Guardiola. Spanjolli ka kontratë me Mançester Sitin deri në vitin 2027 dhe një marrëveshje duket shumë e vështirë.
Të ulësh baskun në stol nuk është e lehtë, duhet jo vetëm një pagë e lartë, por dhe një projekt i kushtueshëm, për të rivalizuar për trofe jo vetëm në Serinë A.
Një opsion tjetër i rëndësishëm në tavolinën e Paratiçit është edhe Konte. Të dy kanë punuar te Juventusi, kanë një marrëdhënie të shkëlqyer, nëse tekniku “axurr” vendos të largohet nga Napoli, atëherë Paratiçi do të bëjë gjithçka për ta afruar në Milano.
Te Milani janë gati të presin deri në fund të sezonit, për të parë mundësinë nëse do të largohet nga qytetarët, diçka që do e bënte edhe më të lehtë kalimin në Itali.
Javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për klubin kuqezi dhe projektin e tyre.
Lini një Përgjigje