
Roberto Mançini ka një kontratë deri në vitin 2026 për të drejtuar Italinë dhe fjala e fundit i takon Federatës Italiane nëse trajneri do të kërkonte largimin.
Por rrallë herë ka ndodhur që të veprohet kundër vullnetit, ndaj edhe orët e trajnerit mbi pankinën “Axurre” thuhet se janë të numëruara. Të paktën për sa raportojnë media të ndryshme me në krye “La Repubblica”-n. Pavarësisht Europianit të fituar dy vite më parë, “Mançio” konsiderohet si fajtori kryesor për mungesën në Botëror dhe frika për të munguar edhe në Europian është e madhe duke parë vuajtjet e italianëve në dy ndeshjet e para kualifikuese. PSG-ja është klubi i parë që raportohet në gjurmët e teknikut italian. Parisienët duken të lodhur nga përpjekjet e shumta për të gjetur suksesin në Europë dhe kërkojnë një figurë solide. Në verë largimi i Galtiesë duket i sigurt me Mançion në pankinën e ekipit nga kryeqyteti francez. Një tjetër klub që do të ishte shumë i interesuar për teknikun kampion Europe është edhe Totenhemi. Në duart e një drejtori si Paratiçi, klubi anglez shquhet për goditjet në aksin Itali-Angli. Drejtuesit londinezë do ta mirëpritnin patriotin në të njëjtin klub nga ku pak ditë më parë u largua Antonio Konte.
Vals pankinash- Në fakt, Roberto Mançini mund të jetë vetëm maja e ajsbergut duke ndjekur shembullin e Ronald Kumanit që la Holandën për Barcelonën. Ndërkohë janë disa klube të mëdha që në verë do të ndryshojnë timonier. Nga Atletiko e Madridit do të largohet Çolo Simeone dhe duket se nga ato anë po mendojnë për Xhan Piero Gasperinin. Interi, ndërkohë, mund të shkarkojë Inzagin dhe në treg ka emra sugjestionues si Konte apo Nagelsman që në orët e fundit thuhet se ka nisur bisedimet me Totenhemin. De Zerbi po drejton shkëlqyeshëm Brajtonin, por është gjithashtu objektiv i Liverpulit nga ku do të largohet Klop. Zhoze Murinjo, ndërkohë duket se do ta respektojë vitin e tretë të kontratës me Romën, por edhe largimi i tij nuk do të përbënte ndonjë çudi
Lini një Përgjigje