
Shorti i mbajtur ditën e sotme në Zyrih, për “play-off”-in e Botërorit, vendosi përballë Shqipërisë, përfaqësuesen polake. Më 26 mars, Polonia dhe Shqipëria do të përballen në gjysmëfinalen e “play-off”.
Ndërkohë që pas shortit, ka reaguar edhe sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Taulant Seferi. Edhe pse është lënë jashtë listës së kuqezinjve nga Sylvinho prej shumë kohës, ish-i i Tiranës ka bërë një reagim të veçantë.
Në “InstaStory”, Seferi ka publikuar foton e shortit. Ndërkohë që krah saj ka shkruar: “Të bashkuar deri në fund”. Një gjest mjaft i bukur nga 29-vjeçari, i cili shfaq qartë dashurinë për atdheun, pavarësisht mungesës së ftesës.

Në lidhje me shortin ka reaguar edhe Mirlind Daku. Sulmuesi i kombëtares nuk mori asnjë minutë në dy duelet e fundit kualifikuese të Botërorit, ndaj Anglisë dhe Andorrës, duke i ndjekur nga stoli.
Pavarësisht kësaj situate aspak të këndshme për të, 27-vjeçari, nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare ka ndarë me fansat dy foto nga stërvitja me Rubin Kazanin, teksa ka shkruar: “Durimi është vlerë, për këtë kurrë nuk ngutemi”!
Një postim ky që me shumë gjasa është i lidhur me mungesën e minutave me fanelën kuqezi. Kujtojmë që Daku është një nga lojtarët më të rëndësishëm te skuadra ruse e Rubin Kazan, ku në 15 ndeshje në kampionat ka shënuar 8 gola.
Lini një Përgjigje