TAGS-AT E JAVËS

Sport19 Maj 2024, 22:16

Një hap larg historisë, Egnatia eliminon Vllazninë në gjysmëfinalen e “Final Four” dhe ‘përplas brirët’ me Partizanin

Shkruar nga Pamfleti

Një hap larg historisë, Egnatia eliminon Vllazninë në

Egnatia mban të gjallë ëndrrën titull duke siguruar një biletë për në finalen e madhe. Pas suksesit në Kupë, Egnatia vë në jetë një tjetër kryevepër duke synuar tani “dopietën” e famshme.

Ekipi i Tetovës kalon Vllazninë në gjysmëfinalen e “final-four, falë renditjes më të mirë, pasi 90 minutat përfunduan në barazim pa gola. Në finalen e madhe më 26 maj, Egnatia do të përballet me Partizanin. Në “Air Albania”, në një atmosferë pozitive, dy ekipet zhvilluan një sfidë spektakolare, me shumë raste për shënim. Egnatia-Vllaznia luajtën një futboll ofensivë që nga minuta e parë.

Rasti më i mirë në fraksionin e parë erdhi në minutën e 18, me Zejnullain që dërgoi topin në rrjetë me një goditje të bukur, por dy minuta më pas, gjyqtari i takimit, pasi shqyrtoi aksionin me VAR anuloi gjithçka për faull në sulm, për prekje të topit me dorë.

Pas këtij momenti, Vllaznia mori kontrollin e lojës duke zhvilluar një presion asfiksues në zonën e Egnatias, por pa mundur të gjejnë prekjen fituese. Historia ndryshoi në fraksionin e dytë, me Egnatian që ishte më kërcënuese. Në minutën e 52, portieri Qarri bëri mrekullinë duke devijuar goditjen e Zejnullait.

Dhjetë minuta më pas, ishte Fernando që flirtoi me golin, por goditja e tij përfundoi mbi kuadrat. Pak minuta më pas, Egnatia gjeti sërish rrugën e rrjetës me Ibrahimoglu, por goli nuk ishte i vlefshëm, i vlerësuar në pozicion jashtë loje. Vllaznia tentoi në mimutat e mbetura të shënonte golin e fitores, por Balaj dhe pjesa tjetër e ekipit shkodran ishin të pasaktë, duke bërë që në finalen e madhe të titullit të kalojë Egnatia falë renditjes më të mirë në sezonin e rregullt.

egnatia vllaznia "final four"

Lini një Përgjigje