
Shqipëria ka nisur sot garat e saj në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Konkurrimi i parë për ekipin kuqezi ka qenë në sportin e qitjes, me Manjola Koninin në kualifikueset e disiplinës 10 metra pistoletë me ajër.
Konini nuk mundi të kualifikohej, teksa e mbylli në vend të 43 mes 44 garueseve, duke regjistruar 549 pikë. 48-vjeçarja nga Tirana, e cila merr pjesë me ftesë në “Paris 2024”, do të garojë gjithashtu edhe në disiplinën 25 metra pistoletë më datë 2 gusht.
Arritjet e saj në botën e sportit janë të shumta, vlen të përmendim se është shpallur kampione e Ballkanit për të rinj në distancë 10 dhe 25 metër. Kokini ka treguar veten edhe në Itali, ku ka dalë e para plot 5 herë, sakaq në vendin tonë ka triumfuar 7 herë. Konini, siç dihet, për një periudhë të mirë është stërvitur në Itali.
Konkurrimi i radhës i Shqipërisë në Lojërat Olimpike do të jetë nesër në orën 11:00 me notaren Kaltra Meça në bateritë kualifikuese të disiplinës 200 metra stil i lirë.
Lojërat Olimpike do të zhvillohen nga data 26 korrik deri më 11 gusht. Në Paris, do të garojnë mbi 10 mijë sportistë.
Lini një Përgjigje