
Një xhiro e vetme mbetet ende për t’u luajtur në fazën e parë të formatit të ri të Champions League. Të mërkurën e 29 janarit do të luhen të gjitha ndeshjet e fundit të grupit, në orën 21:00.
Tetë më të mirat nga faza e ligës me 36 ekipe do të kualifikohen automatikisht në 16-shen e fundit, duke lënë tetë hapësira të tjera për t’u vendosur përmes rrugës së “play-off”-it.
“Play off” do të përfshijë 8 sfida mes skuadrave të renditura nga vendi i 9 deri në të 24. Fituesit e këtyre ndeshjeve (më 11 dhe 12 shkurt luhen ndeshjet e para dhe më 18 dhe 19 shkurt të kthimit) do të përballen me 8 skuadrat e renditura të parat në fazën e grupit, që kualifikohen direkt.
E gjitha kjo, sipas një sistemi të ri, do të zhvillohet në një format “tenistik”, që do të përcaktojë rrugëtimin e secilës prej 16 skuadrave deri në finalen e Mynihut më 31 maj. Shorti i “play off”-eve do të mbahet të premten, më 31 janar, në Nion, selia e UEFA-s. Ky short do të organizohet në çifte. Dy skuadrat e para nën zonën e kualifikimit direkt (e 9 dhe e 10 në renditje) do të përballen me skuadrat e dy vendeve të fundit (e 23 dhe e 24).
Shorti do të përcaktojë nëse e 9 do të ndeshet me të 23 apo të 24 dhe si rrjedhojë, kush do të jetë kundërshtari i 10-tës. E njëjta gjë do të ndodhë për të gjitha çiftimet e tjera: e 11 dhe e 12 kundër të 21 ose të 22, e 13 dhe e 14 kundër të 19 ose të 20, e 15 dhe e 16 kundër të 17 ose të 18. Skuadrat nga vendi i 9 deri në të 16 do ta luajnë ndeshjen e kthimit në shtëpi.
Më 21 shkurt, gjithashtu në Nion, do të hidhet shorti për 1/8 finale të Champions League (ndeshjet e para më 4 dhe 5 mars, kthimet më 11 dhe 12 mars). Parimi mbetet i njëjtë: dy skuadrat e para në renditjen e fazës së grupeve (p.sh., Liverpuli dhe Barcelona aktualisht) do të përballen me fitueset e “play off”-eve mes skuadrave të renditura 15 /16 dhe 17 /18.
Vijon kështu: e 3 dhe e 4 kundër fitueseve të “play off”-eve mes skuadrave të renditura 13 /14 dhe 19 /20; e 5 dhe e 6 kundër fitueseve të “play off”-eve mes skuadrave të renditura 11 /12 dhe 21 /22; e 7 dhe e 8 kundër fitueseve të “play off”-eve mes skuadrave të renditura 9 /10 dhe 23/24.
Pas kësaj, kalendari do të ndjekë formatin “tenistik”, ku dy skuadrat e para të renditura në fazën e grupeve vendosen në dy skajet e tabelës, me mundësinë për t’u përballur vetëm në finale.
Lini një Përgjigje