
Në prag të mbylljes së sezonit, mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani, po luan një rol kyç në përpjekjet e Leçes për të siguruar qendrimin në Serinë A. Performancat e tij në mesfushë konsiderohen vendimtare në këtë fazë delikate të kampionatit.
Megjithatë, e ardhmja e 30-vjeçarit mbetet e paqartë. Kontrata e tij me klubin italian përfundon në fillim të muajit korrik dhe deri më tani nuk ka një konfirmim nëse palët do të vazhdojnë bashkëpunimin.
Ndërkohë, në horizont ka dalë një mundësi e re për karrierën e Ramadanit. Sipas raportimeve të “Dueli Sportiv” në Kosovë, Ejntrahti i Frankfurtit ka shfaqur interes konkret për mesfushorin shqiptar. Klubi gjerman, pjesëmarrës i rregullt në garat evropiane, thuhet se e ka ndjekur prej kohësh lojtarin.
Burimet bëjnë të ditur se drejtuesit e Frankfurtit kanë nisur kontaktet e para me përfaqësuesit e Ramadanit, ndërsa në vijim priten bisedime më zyrtare. Eksperienca dhe stabiliteti i tij në mesfushë vlerësohen si elementë që mund të forcojnë skuadrën gjermane në objektivat e saj.
Lini një Përgjigje